E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet pa auditore, leksione me dy turne, godina me qira

Autori i Lajmit: red.
Viti akademik 2009-2010

Universiteti i Tiranës nuk ka ambiente të mjaftueshme për të zhvilluar leksionet dhe seminaret për studentët. Këta të fundit do të detyrohen këtë vit të ri akademik t i ndjekin leksionet në ambiente me qira ose në turnin e pasdites. Kjo pasi auditorët nuk mjaftojnë në një pjesë të mirë të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës si në atë të Shkencave Sociale, Juridiku apo Fakultetin Ekonomik ku edhe pranimet e reja rezultojnë më të mëdha.
Auditoret
Vetë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, e ka konfirmuar në media problemin e mungesës së auditoreve në UT, ku nuk ka lënë pa përmendur edhe pengesën që ekziston që prej një viti, me studentët e fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkencave sociale, të cilëve iu rrënua godina. Edhe pse ka kaluar tashmë një vit, problemi nuk ka marrë një zgjidhje, për shkak të burokracive. Duket se edhe këtë vit, zgjidhja e vetme mbeten godinat me qira.
Pranimet
Ky problem këtë vit do të bëhet edhe më serioz pasi numri i propozimeve, për pranimet në Universtetin e Tiranës, e kalon shifrën e 7 mijë studentëve. Ndërsa për sa i përket stafit pedagogjik ai është më i lartë në numër, çka e përballon rritjen e numrit të studentëve, krahasuar me një vit më parë. "Rreth 7 mijë studentë do të jenë pjesë e auditoreve tona mbetur në nivel propozimi, pasi të drejtën për të marrë vendime e ka qeveria. Flasim për ciklin e parë të studimeve dhe nga pikëpamja e stafit akademik i plotësojmë tashmë kriteret me numrin e ri të pedagogëve që kemi rekrutuar. Kurrikulat tashmë janë të përshtatshme",- theksoi Kule.
Hapësira në m2
Duket se me shtimin e studentëve problemi i sallave po bëhet i përhershëm. Edhe në ditë provimi është vështirë të gjesh sallë të përshtatshme, pasi ato duket se nuk janë ndërtuar për më shumë se 50 deri në 60 studentë. Por edhe kur gjendet salla, duhet të mendosh t i sigurosh vetes një karrige. Sipas statistikave Universiteti i Tiranës disponon rreth 50 mijë m² katror ambiente universitare, ndërsa me standarde duhen rreth 190 mijë të tilla. Fakultetet Natyrore, Shoqërore duhet të shkojnë në 1 student për 6-10 m² që është standard. Gjuhët e Huaja, Drejtësia, Shkencat Sociale shkojnë nga 0,5 deri në 0,7 m² për student. Nevojat minimale për 2 vitet e ardhshme janë 24 mijë m².
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›