Grafika kineze prezantohen në Tiranë
Një ekspozitë me dizenjime grafike kineze është çelur dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Organizuar nga Ambasada Kineze në Tiranë, ky aktivitet përkon me 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë. Punimet përfaqësojnë zhvillimet e 20 viteve të fundit në Kinë, ilustrime librash apo postera, të cilët reflektojnë njëkohësisht edhe ndikimet e huaja në qytetërimin kinez. Në ceremoninë e çeljes, ku ishin të pranishëm ministri i Kulturës, z. Ferdinand Xhaferri, dhe drejtori i ri i Muzeut Kombëtar, Luan Malltezi, ambasadori kinez, zoti Wang Junling theksoi se "Kina është shumë larg nga Shqipëria, por midis dy popujve tanë ekziston një miqësi e thellë tradicionale. Gjatë 60 viteve të shkuara marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë kaluar prova të ndryshimit të epokës dhe situatës ndërkombëtare, duke u konsoliduar dhe zhvilluar vazhdimisht". Ndërkohë, ministri Xhaferri është shprehur se "kemi kënaqësinë sot të sjellim për publikun shqiptar një pjesë të kësaj dëshmie kulturore, të njihemi me zhvillimet e reja të artit në Kinë, të vendosim nivele të reja dhe të larta komunikimi midis dy popujve tanë".