E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajduti 12-vjeçar i vjedh lekët dhe pistoletën një ushtaraku



Një pistoletë dhe 70 mijë lekë janë vjedhjet e radhës së një 12-vjeçari, minorenit më problematik në vend për policinë. Shpeshherë i mituri me inicialet M.C., arrestohet nga policia e kryeqytetit, si autor i vjedhjeve të ndodhura, por për shkak të moshës së tij lihet i lirë dhe është mjaft i ndërgjegjshëm për këtë fakt, ndaj dhe vjedh sërish. Në disa raste ai paraqet edhe rrezik për shoqërinë, pasi bëhet i dhunshëm, nëse njerëzit e kundërshtojnë. Shkak i këtyre problemeve pa zgjidhje duket se është mosha e tij e re dhe mungesa e një shkolle riedukimi ku ai mund të dërgohet. Ndoshta me fillimin e funksionimit të Institutit të Riedukimit në Kavajë do t’i jepet zgjidhje edhe problematikës më të madhe të policisë së kryeqytetit, Markeljan Cungut. Por deri sa kjo të ndodhë, 12-vjeçari dhe shokët e tij do të vazhdojnë që të arrestohen dhe të lihen të lirë sërish nga policia, për shkak të moshës së mitur dhe mungesës së ambienteve. Tmerri i kryeqytetit, minoreni 12-vjeçar, sapo ishte liruar nga policia, grabiti sërish. Më datë 27 tetor, rreth orës 18:00 në Shkozë dyshohet se ka realizuar vjedhjen e një banesë, ku ka marrë një portofol me shumën e parave prej 70.000 lekësh. Ndërkohë, ditën e djeshme u bë i mundur edhe dokumentimi ligjor i vjedhjes së ndodhur dje në rrugën “Dalip Topi”, Qesarakë, në banesën në pronësi të një shtetasi, ku dyshohet se i mituri ka vjedhur shumën e parave prej 3000 lekësh, si dhe një pistoletë të tipit “Makarov”. Ai ishte futur në banesën e një ushtaraku, ku i ka marrë atij armën dhe sasinë e parave që gjeti në banesë. Shërbimet e Hetimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë sekuestruan në cilësinë e provës materiale pistoletën e tipit “Makarov”. Si disa dhjetëra herë të tjera, policia kreu veprimet hetimore procedurale dhe ia kaloi ato prokurorisë së rrethit për kryerjen e veprës penalet të vjedhjes. Ndërkohë që 12-vjeçari u la sërish i lirë, sërish për shkak të moshës së tij të mitur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›