E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit, ndryshime në nëntë qarqe për përmirësimin e punës



Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka ndryshuar nëntë drejtorë në policitë e qarqeve në vend, ndërkohë që dy prej tyre nuk kanë lëvizur. Sipas burimeve zyrtare, këto lëvizje bëhen me qëllim përmirësimin e punës nga strukturat e policisë.

Janë bërë 17 lëvizje nga numri një i Policisë së Shtetit, i sapoemëruar, që ka prekur strukturat më të larta të policisë në vend.

Në bazë të emërimeve të kryera, Drejtuesi i Parë, Hamdi Fjora, emërohet zv.drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, deri tani drejtor në Drejtorinë e Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ish-drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, emërohet drejtor në Drejtorinë e Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Rasim Borishi, emërohet zv.drejtor i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtues i Parë, Muhamet Rrumbullaku, emërohet drejtor në Drejtorinë e Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili më parë kishte funksionin e drejtorit të Qendrës së Formimit Policor.

Drejtori në Drejtorinë e Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Nazmi Kotarja, emërohet drejtor i Qendrës së Formimit Policor.

Këshilltari pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Edmond Rizai, emërohet drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke shkëmbyer vendet me Drejtuesin e Parë, Arjan Muça.

Ndryshimet në policitë në qarqe

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër, Ali Elezi, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, ndërsa ish-kryesuesi i kësaj drejtorie, Muhamet Furriku, emërohet drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë.

Në Policinë e Qarkut të Fierit shkon Mërgim Hoxha, ndërsa Aleks Hajdari, drejtor në Policinë e Qarkut në Elbasan, emërohet drejtor i Policisë së Qarkut në Durrës.

Ish drejtori i Durrësit Ilia Nasi merr detyrën e tij të re, si numri një i policisë së Qarkut të Dibrës.

Në Elbasan kalon kryekomisar Saimir Muça, i cili më parë ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Në Berat kryekomisar Altin Qato emërohet përkohësisht drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat. Ndërsa ish-drejtuesi i këtij qarku, Bernard Çaushi, emërohet drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë.

Drejtues i Parë, Emri Vata, emërohet drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, deri tani drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë.

Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Arben Hyseni dhe ai i qarkut të Shkodrës, Vehbi Bushati, sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, janë në pritje të emërimit. Pas emërimit të tij në krye të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, paralajmëroi ndryshime në institucionin që ai drejton, me qëllim përmirësimin e punës në strukturat e policisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›