E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy tregtarë në pranga, për veshjet verore kontrabandë



Etleva Delia

Dy vëllezër, tregtarë veshmbathjesh në Tiranë, u arrestuan mesditën e djeshme, pasi u kapën nga policia me një sasi veshjesh kontrabandë, me vlerë rreth 30 mijë euro. Gjatë operacionit të Antikrimit Ekonomik, policia tha se u arrestuan në afërsi të kthesës së Lundrës, tregtarët Bujar e Taulant Xhambazi, 33 dhe 23-vjeçarë, të cilët po transportonin me një furgon veshjet e blera në Greqi. Policia e Tiranës njoftoi se hetimi i veprimtarisë së dy vëllezërve ka zgjatur rreth 4 muaj. Dje fillimisht u prangos Bujar Xhambazi, i cili drejtonte furgonin taksi, me targë KO 748 A, me të cilin po transportonte nga Kapshtica 6737 palë pantallona të shkurtra për meshkuj dhe femra. Sipas policisë rezulton se mallrat kanë hyrë në Shqipëri pa u zhdoganuar në vendkalimin kufitar të Kapshticës, pasi ishte blerë në tregun e shumicës në shtetin helen. Këto veshmbathje pasi futeshin në Shqipëri, shkarkoheshin në subjektin tregtar të Taulan Xhambazit dhe shiteshin si firmato, me çmime të konsiderueshme, në dyqane të ndryshme, kryesisht te rruga "Myslym Shyri". Gjatë kontrollit të automjetit, oficerët e Antikrimit Ekonomik zbuluan çantat e fshehura, të cilat ishin ambalazhuar të tjera materiale të blera jashtë vendit dhe ishin vendosur aty në mënyrë që të mos zbuloheshin nga kontrolli policor. Gjatë aksionit të djeshëm u ushtrua një kontroll në një prej magazinave të subjektit tregtar të Taulant Xhambazit, ku gjithashtu u zbuluan veshmbathje që dyshohet të jenë futur kontrabandë në Shqipëri, pasi nuk ishin të justifikuara me fatura tatimore. Në magazinën e Xhambazit u sekuestruan nga policia dhe oficerët e Hetimit Tatimor të Drejtorisë së Tatimeve të kryeqytetit, 5960 palë bluza dhe pantallona të llojeve të ndryshme. Policia e Tiranës tha se po kryen hetime edhe në doganën e Kapshticës, për të verifikuar mënyrën e hyrjes së mallit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›