Gramozi i Ersekës, kampion i Kategorisë së Dytë

Gramozi i Ersekës është kampioni i ri Kategorisë së Dytë. Skuadra e Ilir Qirjakos, pas 120 minutave të tensionuara e të mbyllura pa gola, triumfoi 5-4 nga gjuajtjet e penalltive kundër Tërbunit të Pukës në finalen e zhvilluar në "Selman Stërmasi", aty ku një ditë më parë u shpall edhe kampioni i Kategorisë Superiore, Dinamo.
Allamani gaboi në gjuajtjen e tretë nga pika e bardhë për Tërbunin, kryesuesin e Grupit të Veriut, ndërkohë që asnjë lojtar i Gramozit (kryesuesin e Grupin e Jugut) nuk gaboi, duke i realizuar të pesta goditjet, ku ajo përfundimtare i përket brazilainit Martins.
Gjithsesi, si Gramozi ashtu dhe Tërbuni – luajti me 10 lojtarë për 50 minuta pas ndëshkimit me karton të kuq të Mihos nga gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku - e kishin merituar qysh një javë më parë ringjitjen në Kategorinë e Parë.
TAKIMI - Finalja e Kategorisë së Dytë për nga entuziazmi – u ndoq nga rreth 3000 shikues, më shumti mbështetës të pukjanëve – i pati të gjitha ngjyrat e një ndeshje prestigji dhe të denjë për nivelin e inferiorëve, ku nuk mungoi grinta, përplasjet e forta, pesë kartonët e verdhë e një i kuq, barrelat, gjakosjet e deri te ndihma e shpejtë mjekësore e përdorimi i ambulancës për të dërguar në spital Hajdarin e Tërbunit, i dëmtuar rëndë pas një përplasje në aksion e sipër me Lumanin e Gramozit.
Gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, i cili ishte të shtunën në rolin e arbitrit të katërt në takimin Dinamo-Partizani të gjykuar nga italiani Paolo Taljavento, dëshmoi se kishte kuptuar jo pak nga "parukieri", kur ndëshkoi Cakën e Gramozit qysh në minutën e tretë për shkelje të rregullores teknike të lojës, e më pas Mihon e Tërbunit në të 10'.
Lifo i Gramozit goditi shtyllën në minutën e 23-të, ndërkohë që një minutë më pas, Ismaili po i Gramozit humbi një rast të artë, kur pasi shmangu portierin Dushku goditi topin pa forcë, aq sa sfera nuk pati "shansin" të përfundonte në portë. Miho ndërhyri keq në të 41', duke e lenë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë e duke rritur adrenalinën e korit të tifozerisë së shumtë pukjane, por duke ngacmuar edhe nervat e trajnerit të Tërbunit, Ritvan Kulli, i cili bashkëbisedoi me tone të larta në pistë me lojtarin e larguar.
Fraksioni i dytë, nisi me Tërbunin që luajti topin e parë dhe Gramozin më afër portës kundërshtare. Pikërisht, në një nga veprimet sulmuese të formacionit të Ilir Qirjakos ndodhi edhe episodi, që la pa frymë stafet mjekësore të dy skuadrave. Lumani u përplas fuqishëm me Hajdarin dhe ky i fundit mbeti gati për 2-3 minuta i shtrirë në tokë, aq sa u desh barela për ta nxjerrë jashtë fushës e më pas ambulanca për ta marrë nga stadiumi e për ta cuar në spital. Ismaili i Gramozit ekzekutoi me kokë një goditje të bukur në minutën e 66-të, por Dushku e shmangu golin me një veprim të jashtëzakonshëm akrobatik. Koha e rregullt përfundoi me rezultat të bardhë, ndërsa në shtesën e parë Janku anuloi pas konsultimit me anësorin Mustafaraj një gol të Tërbunit. 120 minutat përfunduan pa gola, duke u hapur rrugën gjuatjeve të penalltive.
PENALLTITE - I pari u shfaq te pika e bardhë kapiteni i Tërbunit, Samarxhi, i cili nuk gaboi. Të saktë ishin më pas edhe Islami (Gramozi), Gazmir Fucia (Tërbuni) e braziliani Oliveira (Gramozi). Allamani i Tërbunit goditi shtyllën pingule, ndërkohë që Caka ishte i saktë për Gramozin, duke i dhënë edhe avantazhin 2-3. Berberi e Ceka nuk gabuan për Tërbunin, por po kaq të saktë ishin edhe afrikani Ervehe e braziliani Martins, ku ky fundit i dha edhe titullin kampion Gramozit.
FESTA - Një ceremoni më e thjeshtë, një trofe më i vogël në përmasa, por gjithsesi një kupë e merituar nga Gramozi i Ersekës. Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi i dorëzoi trofeun kapitenit Shupe, ndërsa ai zyrtar, Peci (i pezulluar) ishte veshur si dhendër. Pranë Kasmit edhe Shefi i Sektorit të Garave, Ilir Shulku, e në të djathtë të Gjergji Thaka.
Ndërkohë që presidenti i Tërbunit, Besnik Syla u largua nga "Selman Stërmasi" pa trofeun e ëndërruar edhe pse investoi shumë për të krijuar një dekor ta jashtëzakonshëm, të denjë për një finale, kryetari i bashkisë së Ersekës, Adriatik Brace i mbajtur në krahë nga futbollistët më pas tha: "Gëzimi i parë i yni ishte pjesëmarrja në Kategorinë e Parë, që e arritëm javën që kaloi. Sot ishte një ndeshje për të cuar krenarinë atje ku duhej, jo vetëm për futbollin kolonjar, por dhe për futbollin shqiptar në përgjithësi. Është një ngjarje historike për ne. Ngjitja në kategorinë e Parë? Kënaqësi e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë cunat e Gramozit, trajnerin Qirjako dhe ata pak sponsorë të ekipit. Ne dolëm kampionë me më pak shpenzime, por me një menaxhim shumë të mirë të ardhurave që kishim".
Trajneri Ilir Qirjako nuk e fsheu kënaqësiën: "Ishte një ndeshje me emocione të mëdha. Vuajtëm shumë nga mungesa e sulmuesit Dos Santos. Qëllimi ynë ishte që ta conim ndeshjen te gjuajtja e penalltive dhe ia dolëm. Ishim të bindur se do ta fitonim titullin. Gjithë javës lojtarët ishin të përgatitur në gjuajtjen e 11-metërshave. Mungesa e kapitenit Peci ishte e madhe, por 17-vjecari Xaka e justifikoi shumë mirë. Lojtarët e huaj? Kanë sjellë eksperiencën dhe profesinalizmin e tyre në ekip".
FINALJA E KATEGORISE SË DYTË
TËRBUNI-GRAMOZI 0-0
Me penallti fitoi Gramozi 5-4
E diel, 18 maj 2008,
Stadiumi "Selman Stërmasi", Tiranë
TËRBUNI: Dushku, Berberi, Samarxhi (kap), Klevis Fucia, Miho, Hajdari, Ceka, Gazmir Fucia, Duka, Akamba, Brahja. Tr.: Ritvan Kulli.
GRAMOZI: Agolli, Rexhepi, Martins, Xaka, Caka, Oliveira, Shupe (kap), Islami, Ismaili, Lifo, Lumani. Tr.: Ilir Qirjako.
Gjyqtar: Albano Janku, Ergim Doda, Labon Mustafaraj. Gjyqrtar i katërt Ervis Peza.
Kartonë të verdhë: Miho(2), Allamani, Samarxhi / Caka, Ervehe
Karton i kuq: Mihi 41' (Tërbuni)
Shikues: 3000