E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shulku: “Atmosferë e rrallë, kampionat i bukur”

"Është një atmosferë që rrallë e kemi parë, pasi dhe kampionati u nda midis dy ekipeve rivale. E kemi përsëritur shpesh se kushdo që ta merrte kampionatin do ta meritonte. Loja ishte e ekuilibruar, por Dinamo e meritoi. Parë faktin se titulli u nda në javën e fundit, dhe për më tepër në minutën e fundit, duhet të themi se ky kampionat ka një bukuri të vecantë", - tha pas takimit shefi i Sektorit të Garave, Ilir Shulku. Një dekor për t'u pasur zili në "Selman Stërmasi". Një atmosferë e ndezur. E denjë për një "finale", për më tepër kur bëhej fjalë për dy legjenda të futbollit. Mijëra fansa ishin të pranishëm në stadiumin e dytë të kryeqytetit, por akoma më shumë e ndoqën në afërsi të "Selman Stërmasit". Në fillim të 90 minutave mbizotëruan ngjyrat e kuqe, por në fund triumfi u takoi atyre blu. Ishte titulli i 17-të i Dinamos dhe "lumi" i shiritave nuk kishte të sosur. Tribuna "VIP" ishte e mbipopulluar nga një numër i madh personalitesh të jetës politike, përfshirë presidentin e Republikës, Bamir Topi e pa dyshim ato sportive, ku spikat kreu i FSHF-së, Armand Duka. Në tribunë ishin të pranishëm edhe dy presidentët e klubeve, ai Dinamos, Besnik Sulaj dhe ai i Partizanit, Albert Xhani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›