Gramozi mund të përfundojë vetëm me të rinjtë
Pas rënies në Kategorinë e Dytë dhe financave të dobta, ekipit kolonjar mund ti qëndrojnë besnikë vetëm disa të rinj vendës
Kampionati i fundit cilësohet më i dobti për Gramozin, që kthehet në Kategorinë e Dytë pas 4 sezonesh. Shkaku kryesor i rezultateve negative dhe i dështimit të kolonjarëve lidhet me financat e klubit. Futbollistët nuk u shpërblyen për atë që u ishte premtuar në fillim të sezonit dhe zbritja në të dytën ishte e pritshme në një farë mënyre.
Për momentin nuk dihet asgjë në lidhje me të ardhmen e Gramozit, që nuk ekziston që pas ndeshjes shtesë me Naftëtarin. Shumica e futbollistëve e shohin veten larg ekipit kolonjar dhe jo vetëm ata nga qytetet e tjera. Vetëm nëse kolonjarët sigurojnë financat e nevojshme ata do të ndryshojnë mendim.
Ende nuk ka një datë të për zhvillimin e analizës së sezonit të fundit, ku do të diskutohet për gjithçka që solli rënien e Gramozit, përveç anës financiare, që la shumë për të dëshiruar. Për këtë shkak u larguan nga ekipi një pjesë e mirë e titullarëve pas përfundimit të fazës së parë, siç janë Dervishi, Bilibashi, Fasko, Nelaj, Omeraj, Shehu, Arapi dhe Ahmetaj.
Largimet duket se do të vazhdojnë dhe i pari që i është shtuar listës është mbrojtësi Peçi. Në këtë linjë është edhe kapiteni Shupe, por edhe futbollistët korçarë që mbyllën sezonin me fanellën e Gramozit. Kjo do të thotë se këtij ekipi do ti mbeten vetëm disa të rinj, të cilët fituan përvojë gjatë kampionatit të fundit.
Një ndër ta është mbrojtësi 18-vjeçar, Eri Mydini, i cili për Sportin shqiptar thotë: Më vjen keq, që Gramozi nuk mbijetoi në Kategorinë e Parë, edhe pse nga ne u punua shumë dhe në kushte tepër të vështira. Nuk ndihem mirë, kur dëgjoj që shumë lojtarë kanë shprehur dëshirën për tu larguar nga Gramozi, sepse ky ekip nuk duhet prishur.
Gramozi i sezoneve të fundit ka qenë një ekip i formuar, me lojtarë profesionistë, duke arritur edhe në Superligë, falë mbështetjes së presidentit Mustafa Taçi. Duke besuar te puna e drejtuesve të ekipit dhe të bashkisë, mendoj se do të jemi pretendentë sezonin e ardhshëm. Me disa përforcime mund të kemi një ekip të fortë, që nuk do të qëndrojë më shumë se një sezon në Kategorinë e Dytë. Kuptohet që para së gjithash duhet pasur garanci financiare.
