E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raboshta: Luftëtari, ekip kompetitiv edhe mes më të mirëve

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

 Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, shpreson të jetë me ekipin gjirokastrit edhe sezonin e ardhshëm, por pranon se gjithçka do të varet nga bisedimet me drejtuesit e tij

Luftëtari i sezonit të fundit pati në përbërje disa futbollistë dhe trajnerë, të cilët janë shpallur kampionë, disa më shumë se një herë, madje dikush shumë herë.Kampioni i kampionëve është trajneri Nevil Dede, si në Superligë, ashtu edhe në Kategorinë e Parë, në kohë të ndryshme dhe me ekipe të ndryshme.

Më pas vijnë Devolli, Nora, Hysi, Ciko, Kristidhi, Novi dhe Raboshta, të cilët mbartin një përvojë marramendëse, që ndikoi në shpalljen kampion të Luftëtarit për Kategorinë së Parë, në kampionatin e saj të 65-të.

Raboshta Si ogurbardhë mund të konsiderohet shkodrani Jasmin Raboshta, i cili në katër sezonet e fundit, që luan me ekipe të rriturish, ka qenë i suksesshëm. Ai është fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë, nënkampion i Kategorisë së Parë me Elbasanin dhe më tej kampion i po kësaj kategorie me Pogradecin dhe së fundi me Luftëtarin.

Shkodrani ishte golashënuesi i dytë më i mirë i gjirokastritëve me 13 gola, pas Norës me 24 gola. Raboshta shënoi golin e parë të sezonit për Luftëtarin pikërisht në ndeshjen e parë. Ai realizoi me 11-metërsh golin e fitores ndaj Vlorës në Gjirokastër. Në golat e tij përfshihen edhe 3 dygolësha në 14 ndeshje të plota dhe 13 jo të tilla, ndërkohë që nuk luajti në 3 ndeshje.

Për të ardhmen e Luftëtarit dhe të tijën, ai thotë: Me Luftëtarin pata një sezon më të bukur se me 2 ekipet e mëparshme, Elbasanin dhe Pogradecin, që gjithashtu u ngjitën në Superligë, kur isha pjesë e tyre, por që për fat të keq nuk do të jenë aty sezonin e ri. Uroj që Luftëtari të mos ketë fatin e tyre. Eshtë e qartë, që ky ekip mund ta gëzojë për shumë sezone ngjitjen në Superligë, në rast se do të bëjë investimet përkatëse për të formuar një grup kompetitiv, që tu përgjigjet kërkesave të elitës. Për vete mendoj dhe shpresoj se mund të jem përsëri te Luftëtari, gjë që do të varet nga bisedimet me drejtuesit e tij.

Kam bindjen se loja ime ka ardhur në rritje dhe sezonin e ri do të jem më në formë për ta ndihmuar Luftëtarin në objektivin e tij, që them se më minimali do të jetë qëndrimi në Superligë. Pavarësisht se do të jem ose jo, nuk do ta harroj sezonin që mbyllëm, sepse arritëm rezultate ndër të mirat në kampionatet e Kategorisë së Parë.

Miqësore mes gjyqtarëve grekë dhe shqiptarë

Sekretari i Kolegjumit të Arbitrave të Gjirokastrës, Tanush Latifi, konfirmon se më 27 maj, në një fushë futbolli të Janinës në Greqi, u zhvillua një ndeshje miqësore midis Bashkimit të Arbitrave të Epirit dhe Shoqatës së Arbitrave shqiptarë të zonës jugore, me mirartimin e institucioneve përaktëse nga ato varen. Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-2 për ekipin vendës. Të dielën, më 3 qershor, në stadiumin Gjirokastra do të zhvillohet ndeshja e kthimit, që do të arbitrohet nga një grek, me dy asistentë shqiptarë.

In Memoriam

Kohët e fundit ndërroi jetë në Gjirokastër, në moshën 89-vjeçare,  Leonidha Llambro, ish-futbollist i njohur gjirokastrit. Ai fitoi famë në peridhën 19451955 si portier i ekipit gjirokastrit Shqiponja, më pas Puna e Gjirokastrës dhe sot Luftëtari. Edhe redaksia e Sportit shqiptar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Llambro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›