Lushnja e ngrirë, për merkato as që bëhet fjalë
Nga presidenca lushnjare nuk ka asnjë lëvizje për momentin, kështu që futbollistëve të sezonit të fundit u duhet të presin edhe disa ditë
Situata mbetet e ngrirë në kampin lushnjar që pas dështimit në ndeshjen me Apoloninë. Pati vetëm një deklaratë të presidentit Fatos Tushe për një analizë të hollësishme të sezonit të fundit, ku do të dalin edhe shkaktarët e dështimit dhe secili do të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Por kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk ka një datë të saktë për zhvillimin e kësaj analize. Presidenti i Lushnjës, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Lushnjës, Fatos Tushe, është i angazhuar për mementin me disa aktivitete artistike, që do të zhvillohen në këtë qytet. Më pas ai do të merret me futbollin, ku ka disa çështje për të zgjidhur.
E para është ajo e trajnerit, pra mund të ketë një konfirmim të Sajmir Malkos në krye të skuadrës myzeqare ose largim të tij dhe emërimin e një specialisti tjetër. Më pas do të qartësohet edhe pozicioni i të gjithë futbollistëve, të cilët mbyllën sezonin me fanellën verdhejeshile.
Mund të ketë largime apo afrime, por për momentin nuk mund të thuhet asgjë në këtë drejtim, përderisa nuk ka asnjë sinjal nga presidenti Tushe. Ky i fundit ka garantuar se sezoni i ri do ta gjejë Lushnjën më të fortë, duke lënë të nënkuptohet se do të ketë përforcime, por pa përmendur emra konkretë.
Të lakmuarit Nga kjo situatë e qetë te Lushnja mund të përfitojnë drejtuesit e skuadrave të tjera, të cilët kanë në planet e tyre disa nga titullarët lushnjarë. Më i kërkuari duket se është sulmuesi Mikel Canka, autori i 21 golave në kampionatin e fundit. Për të e kanë shprehur hapur interesin edhe drejtuesit e Flamurtarit pak kohë më parë. Një tjetër futbollist lushnjar, për të cilin kanë interes shumë skuadra, është mesfushori Alban Byzhyti, por ka edhe të tjerë.
Kjo do të thotë se për momentin ka më shumë mundësi për largime se për afrime, por mendohet që para analizës të mos ketë asnjë lëvizje. Ai që do të vendosë është presidenti Fatos Tushe, i cili së pari do të saktësojë pozicionin e futbollistëve të sezonit që shkoi para se të mendojë për merkaton e verës.
