E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gladbach konfirmon Xhakën

Pas Granit Xhakës, edhe Borussia Monchengladbachu e ka konfirmuar marrëveshjen në mes të dyja palëve. Mirëpo, drejtuesit e klubit gjerman kanë bërë të ditur se tash duhet ta arrijnë gjuhën e përbashkët edhe me Baselin. Shumë shpejt priten të nisin bisedimet në mes të klubeve për 19 vjeçarin.

Borussia Monchengladbachu e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me përfaqësuesit e Granit Xhakës. Klubi gjerman do të mundohet tash ta bëjë një gjë të tillë edhe me Baselin, për ta kompletuar transferimin e futbollistit kosovar në Gladbach.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëspresidenti i Gladbachut, Rainer Bonhof. “Ne e kemi akordin dhe pëlqimin e lojtarit. Prandaj, tash na mbetet të merremi vesh edhe me Baselin”, është shprehur ai për ueb faqen zvicerane bazonline.ch.

Për momentin, Baseli ka preferuar të heshtë rreth çështjes së futbollistit kosovar, i cili ka kontratë me kampionin zviceran deri në qershor të vitit 2015. “Për momentin nuk kemi koment për Xhakën”, deklaroi drejtori sportiv i Baselit, George Heiz.

Ndërkohë, një ditë më parë, presidenti i kampionit zviceran, Bernhard Heusler, ka konfirmuar se shumë shpejt mund të ketë risi për këtë çështje. “Shumë shpejt do të nisin bisedimet”, ka thënë ai për mediet zvicerane. 19 vjeçari ka arritur marrëveshje në parim me klubin gjerman, por tash ka mbetur që klubet t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit.

Hamburgu nuk dorëzohet

Edhe pse e ardhmja e Xhakës parashihet të jetë në Borussia Monchengladbach, klubi tjetër i interesuar për të, Hamburgu, nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Trajneri Thorsten Fink, i cili kishte punuar me përfaqësuesin zviceran në Basel, ende shpreson ta ketë nën urdhrat e tij futbollistin prishtinas. “Dëshirojmë ta kemi në ekip Xhakën. Nëse dëshiron të vijë tek ne, do ta marrim menjëherë”, theksoi trajneri gjerman.

Mirëpo, pengesë për Hamburgun mund të jetë fakti se Xhaka dëshiron të luajë në nivele të larta dhe në kupat evropiane, mundësi të cilën mund t’ia ofrojë vetëm Borussia Monchengladbachu, por jo edhe Hamburgu.

Monchengladbachu e ka shitur mesfushorin Marco Reus për 17,5 milionë euro, kështu që ka para të gatshme për të shpenzuar gjatë verës. Vlera e Xhakës sillet nga 6 deri në 10 milionë euro.

Për të interesim kanë shfaqur edhe dy klubet tjera gjermane, Hamburg e Bayern Munich, ato angleze, Manchester United, Liverpool, Chelsea e Arsenal si dhe skuadrat italiane Juventus e Milan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›