E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramsh, vjedh furgonin për 1 milion lekë borxh

Nuk i ka kthyer lekët dhe për këtë shkak i ka marrë borxhliut makinën tip furgon. Kështu ka ndodhur me një 30- vjeçar nga një fshat i Gramshit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se ka nisur procedimi penal ndaj 30- vjeçarit, Florenc Begasi, pasi i ka marrë mjetin tip furgon me targa BR 97 11 A më pronësi të 39- vjeçarit, Gramoz Zenuni nga fshati Belesot të komunës së Lumasit në rrethin e Beratit. Të njëjta burime pohuan ndër të tjera, se konflikti mes tyre kishte lindur gjatë muajit mars të këtij viti, kohë kjo që Zenuni duhej ti kthente borxhin prej 1 milion lekë të vjetra, të cilat ia kishte marrë borxh që në shtator të vitit 2007. Kjo ka qenë arsyeja që 30- vjeçari, ka gjetur një moment për ti rrëmbyer çelësat mjetit të tij dhe është larguar bashkë më furgonin autoveturë si peng për borxhin e pakthyer. Ka qenë Zenuni beratas ai që ka denoncuar dhe policia e Gramshit ka ndaluar 30- vjeçarin duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale çelësat e furgonit dhe dokumentet e tij, por jo makinën. Kushti në kompromis ka qenë kthimi i automjetit në momentin e shlyerjes së borxhit. Policia ka nisur ndaj 30 vjeçarit procedimin penal në gjendje të lirë, ndërsa prokuroria e Elbasanit ka hapur ndaj tij çështjen penale nën akuzën e vetëgjyqësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›