E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orkestra Simfonike e RTSH: Marshi i pelegrinëve vjen në skenën e arteve

 Vepra të autorëve të njohur botërorë ishin pjesë e programit të koncertit simfonik
Në vijim të Stinës Koncertore në sallën e Akademisë së Arteve, Orkestra Simfonike e RTSH luajti një koncert simfonik, me dirigjent Desar Sulejmanin dhe solist Blerim Grubi në violë. Koncerti ishte i ndërthurur me një repertor të pasur, ku u interpretuan vepra të autorëve të njohur botërorë. Për publikun u luajtën vepra nga Jean Sibelius-Finlandia-Poemë Simfonike op.26, Carl Maria von Weber-Andante &Rondo Hungareze op.35, Hector Berlioz-Simfoni- Harold in Italy- me kohët:-I . Haroldi në male, II. Marshi i pelegrinëve, III Serenatë,IV Në kampin e kusarëve. Pianisti shqiptar Desar Sulejmani ka lënë për disa ditë Gjermaninë dhe ka ardhur në Tiranë, si i ftuar i radhës i kësaj stine koncertore. Artisti shqiptar Desar Sulejmani është i njohur për aktivitetin e tij artistik në Gjermani, ku ai është bërë sot një prej emrave më të njohur të muzikës klasike. Pak kohë më parë kur ai erdhi në Tiranë për një tjetër koncert i pyetur se çfarë e mbante larg Shqipërisë ai u përgjigj se: Duke qenë se kam 11 vjet në Gjermani dhe jam njohur me shumë gjëra të muzikës, si dhe me shumë anë të muzikës, unë mendoj se kam diçka për të dhënë për Shqipërinë. Unë kam diçka për të dhënë për artin shqiptar, dhe nëse dikush nesër do më bënte një ftesë për të punuar nuk do të isha kundër. Deri tani kam ardhur si muzikant , por nesër nëse do të kem një ofertë unë do të jem i gatshëm të vij, por dhe nëse kjo ofertë më jep mundësi që të punoj me  të njëjtin intensitet si në Gjermani. Në Gjermani ai ka një orkestër, e cila  ka mbi 10 vjet që është krijuar dhe në brendësi të saj ka instrumentistë profesionistë ose më saktë muzikantë që kanë profesione të tjera si: mjekë, juristë, etj. Orkestra e tij zhvillon disa koncerte në vit. Desar Sulejmani është i njohur për suksesin e tij në skenat evropiane. Ai u lind në Shkodër në vitin 1978. Që në moshën 6- vjeçare ai filloi të luante në piano. Pasi frekuentoi shkollën e muzikës Prenk Jakova të qytetit të tij të lindjes, vazhdoi studimet në liceun artistik kombëtar Jordan Misja në Tiranë, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Si solist i orkestrës të harqeve Virtuozët e rinj të Tiranës nga viti 1995 - 1997 ai mori pjesë në turne në shtete si Franca, Belgjika, Hungaria dhe Italia. Në vitin 1996 regjistron CD e tij të parë me koncertin për piano në A - Dur, KV 414 nga Moxart në studiot e Radio Vatikan. Pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet për muzikë dhome pranë Prof. Andreas Reiner, pianisti i diplomuar Sulejmani studioi nga viti 2005 deri më 2008 dirigjim pranë Prof. David de Villiers në shkollën e lartë të muzikës Folkëang në Essen. Studime të cilat i mbaron me rezultate të larta në korrik të 2008. Sulejmani drejton që prej Majit 2006 Orkestrën Simfonike Heinrich Heine Symphoniker në Dysseldorf dhe dirigjon rregullisht Orkestrën Filarmonike të Akademisë së Arteve dhe Orkestrën Simfonike të RTSH në Tiranë. Në vijim të këtij sezoni Orkestra e RTSH ka sjellë para disa ditësh në skenën e Akademisë së Arteve një tjetër koncert të veçantë, cili pati dhe vepra të cilat u ekzekutuan por herë të parë nga kjo orkestër. E veçanta e kësaj mbrëmjeje muzikore ishte pjesëmarrja e dirigjentit rus Leonid Nikolayev, që është një nga artistët më në zë të kohës, nën drejtimin e të cilit solisti Aristidh Prosi, (violonçel) interpretoi pjesë të zgjedhura nga veprat e kompozitorëve të njohur, me famë botërore si Rossini dhe Shostakovich.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›