Granatë dorë në KEK-un e Ferizajt
Shpërthimi i kontrolluar i një granate dore në oborrin e KEK-ut, në orët e pas mesnatës ka sjellë shqetësim tek banorët e qendrës së qytetit. Rreth orës 23:25 minuta, personi i sigurimit fizik të KEK-ut kishte raportuar në polici se gjatë kontrollit jashtë objektit, në parkingun e automjeteve kishte vërejtur një mjet të dyshuar të pa shpërthyer .Në vendngjarje ka dalë njësiti patrullues i policisë, i cili ka bërë sigurimin e vendngjarjes si dhe Njësiti i Hetimeve Rajonale me Forenzikën.
Më pas, rreth orës 2:35 minuta pas mesnate është kryer shpërthimi i kontrolluar nga ana e KFOR-it amerikan. "Konsiderohet se është një mjet shpërthyes, granatë dore F-1, ende nuk kemi të dhënase nga kush dhe si është sjellë ky mjet në atë vend dhe për çfarë motivi, mirëpo shpërthimi i kontrolluar është bërë pa asnjë ekces", ka thënë zëdhënësi rajonal i PK-së, Agim Gashi. Me autorizim të Prokurorit të Qarkut në Prishtinë, Njësiti i Hetimeve Rajonale vazhdon të merret me këtë rast.