Granit rekordmeni
Të mërkurën mbrëma është thyer një rekord në basketbollin kosovar. Ndoshta është e pabesueshme për faktin se sot është 1 prilli, dita e gënjeshtrave, por kjo është e vërtetë. Granit Rugova i ka shënuar hiq më pak se 110 pikë në ndeshjen ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Mitrovicës.
Ky takim ka përfunduar me rezultat 150:54 për prishtinasit. Ndërsa Rugova i shënoi thuajse trefishin e pikëve që i realizoi ekipi i tij, përkatësisht dyfishin e pikëve sa i ka shënuar i tërë ekipi mitrovicas.
Në këtë mënyrë, Rugova theu rekord dhe hyri në histori të basketbollit kosovar. Aty ai do të mbetet gjatë, me gjasë për shumë e shumë vite, sepse vështirë se do t’ia del dikush t’ia thyejë këtë rekord, të cilin deri më tani e ka mbajtur lojtari i Trepçës, Gazmend Asllani me 72 pikë, sa i pat shënuar brenda një ndeshjeje.
Rugova nuk e fsheh gëzimin për faktin se tani është rekordmen. “Vërtet jam shumë i kënaqur. Është një ndjenjë shumë e mirë për mua që theva rekord, madje në këtë mënyrë. Nuk janë pak 110 pikë për t’i shënuar brenda 35 minutave, sa kam luajtur gjithsej. Është e vërtetë se ekipi kundërshtar nuk ka qenë aq i fortë, por Mitrovica është ekip i Superligës. 110 pikë nuk është lehtë të shënohen duke gjuajtur në kosh pa u penguar, e lëre më gjatë lojës”, deklaroi Rugova për Express.
Ai thotë se në të kaluarën kishte pasur një parandjenjë se një ditë do të bëjë diçka në basketbollin kosovar që nuk e ka bërë dikush tjetër para tij. Në fakt, dikur ai kishte një parandjenjë se një ditë do t’ia del t’i shënojë rreth 80 pikë, por kurrë nuk i kishte shkuar mendja se do të mund t’i shënojë 110 sosh.
“Dikur kam menduar se ndoshta një ditë do të thyej ndonjë rekord, por nuk e kam pritur se do ta bëj tani. Brenda katër minutave të para të ndeshjes i shënova 15 pikë. E pashë se jam i disponuar për lojë dhe vazhdova të shënoj. Pastaj edhe trajneri më dha hapësirë për të luajtur siç dua dhe e falënderoj shumë. I falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi të ekipit. Kjo nuk është e arritur vetëm e imja, por e gjithë Prishtinës”, theksoi basketbollisti i krahut.
Ai beson se këtë rekord do ta mbajë për disa vite. “Por, edhe nëse dikush e thyen këtë rekord, vërtet nuk do të mërzitem, por do ta përgëzoj atë lojtar”, përfundoi Rugova.
Para tri apo katër vitesh, Gazmend Asllani pat thyer rekord me Trepçën, kur i kishte shënuar 72 pikë në duel ndaj ish anëtarit të Superligës, Kastriotit. Megjithatë, Asllani nuk mërzitet që më nuk e mban këtë rekord. Ai thotë se as që nuk do t’ia mësyjë për t’u bërë sërish rekordmen. Sipas tij, gjasat janë shumë të vogla që dikush do të mund t’ia thyejë rekordin e ri të Rugovës prej 110 pikëve.
“110 pikë janë shumë. Ato është vështirë të shënohen pa lojë,e lëre më gjatë një ndeshjeje. Rugova ndoshta do ta mbajë këtë rekord gjatë gjithë jetës”, thotë Asllani.
“Nëse Superliga shkon duke u bërë akoma më e dobët, dikush ndoshta do ta thyejë rekordin e tij. Por, ne kosovarët synojmë ta forcojmë ligën dhe nëse ia dalim qëllimit, është e pamundur të thyhet ky rekord, sepse në ndeshje të forta nuk di se do të mund dikush t’i shënojë 110 pikë”, përfundoi Asllani.
Wilt Chamberlain është lojtari i vetëm i NBA, ligës më të fortë në botë të basketbollit, i cili ka shënuar 100 pikë në një ndeshje në vitin 1962
Duket se Rugovës vështirë se mund t’ia thyejë dikush rekordin e 110 pikëve. Natyrisht, këtu bën përjashtim Chuck Norris – ai është rekordmen absolut në të gjitha sportet.