Derbi i “Madonnina”-s në shifra
Përballja mes dy skuadrave ka prodhuar një lumë golash, teksa janë shënuar në total 875 gola në 247 përballje
Interi dhe Milani kanë një histori shumë të pasur mes tyre. Përballjet janë të shumta dhe në total (përfshirë dhe ndeshje miqësore) janë luajtur 274 ndeshje, prej të cilave Milani ka mundur të fitojë 107 ndeshje, Interi 95 dhe 72 takime kanë përfunduar në barazim. Interi ka shënuar 442 gola, ndërsa Milani 433. Por, nëse në total kuqezinjtë kanë një epërsi të dukshme, në Serie A janë zikaltërit që udhëheqin me 64 fitore në 175 përballje, kundrejt 59 fitoreve të Milanit. Edhe këtu, golavarazhi anon nga zikaltërit. 255 gola kundrejt 236. Vlen për t’u theksuar se në Champions janë luajtur 4 ndeshje, ku Milani ka fituar 2 dhe 2 të tjera janë mbyllur në paqe. Nëse llogarisim vetëm ndeshjet zyrtare të luajtura, atëherë kuqezinjtë dhe zikaltërit janë përplasur 202 herë dhe hendeku këtu është fare i vogël. Vetëm 1 ndeshje epërsi për Interin, që ka fituar 71 përballje kundrejt 70 të Milanit me 61 sfida të mbyllura në barazim. Edhe në këtë situatë, Interi ka golavarazhin më të mirë. 278 gola të shënuar nga Interi dhe 274 nga Milani.
Rezultatet më të thella
Por Milani mund të krenohet për disa rezultate vërtet të pabesueshme. Kështu, në vitin 1938 shënohen shifrat më të thella në të gjithë historinë e derbit Inter-Milan. Kuqezinjtë fitojnë 8-1. Interi, nga ana e tij fitoren më të thellë e ka me shifrat 0-5, arritur në vitin 1911. Milani ka mundur të fitojë 3 herë me shifrat 4-0, ndërsa Interi e ka shijuar këtë fitore në vitin 1967 dhe 2009. Një tjetër rezultat i bujshëm është edhe triumfi 6-0 i skuadrës së Berluskonit ndaj asaj të Moratit në vitin 2001.
Golashënuesit rekordmenë
I pari në listën e golashënuesve është ukrainasi Andrij Shevçenko, që me 14 golat e tij mban rekordin absolut. Në vend të dytë vjen Xhuzepe Meaca me 13 gola, por ky i fundit e ka gjetur rrjetën me të dyja skuadrat, pasi ka luajtur si me Interin, ashtu dhe me Milanin. Nga lojtarët që janë aktualisht në aktrivitet, Inzagi dhe Stankoviç kanë realizuar nga 4 gola, ndërsa Serdorf 3.