Kërkon më shumë minutazh

Agon Mehmeti ndien se meriton më shumë minutazh te Malmo në sezonin e ri, i cili do të nisë në fundjavë. Edhe pse në moshë të re, 21 vjeç, sulmuesi kosovar mendon se mund të japë më shumë kontribut për klubin suedez, i cili këtë sezon do ta kërkojë mbrojtjen e titullit të kampionit.
“Po punoj që të përmirësohem dhe të jem pjesëmarrës edhe më shumë në lojë. Nuk dëshiroj që të jem më super zëvendësues. Shpresë e imja është që të jem më shumë i involvuar në këtë skuadër”, theksoi Mehmeti për ueb faqen sydsvenskan.se.
Kontrata e sulmuesit kosovar përfundon në fund të sezonit që po fillon. Palët kanë pasur kontakte për vazhdimin e saj, mirëpo deri tash ende asgjë nuk ka konkrete. Natyrisht, dëshirë e 21 vjeçarit është që të mbetet te kampioni suedez.
“Mua më përket vetëm të punoj në mënyrë profesionale. Malmo ma ka dhënë rastin dhe ndiej se këtë duhet t’ia shpaguaj. Mirëpo, gjithashtu e di se jam duke u zhvilluar dhe se ende nuk ka përfunduar ëndrra ime futbollistike”, vazhdoi Mehmeti.