E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grass n’spital

Shkrimtari dhe laureati gjerman i Çmimit Nobel, Gunther Grass, është pranuar të hënën mbrëma në spitalin e Hamburgut, për shkak të problemeve me zemër.

Grass u pranua në spital vetëm dy javë pas publikimit të vjershës kontroverse në të cilën kritikon Izraelin, si pasojë e së cilës atij iu ndalua hyrja në shtetin çifut.

Agjencia AP, e cila thirret në agjencinë gjermane të lajmeve DAPD, konfirmoi se Grass është pranuar për trajtim në spitalin e Hamburgut, por pa dhënë detaje tjera.

Javën e kaluar Izraeli ia ndaloi shkrimtarit gjerman hyrjen në vend, pas publikimit më 4 prill të poezisë “Ajo që Duhet të Thuhet” në ditoren ‘Suddeutsche Zeitung’.

Poezia dënon shitjen e armëve gjermane Izraelit, duke nënvizuar se Izraeli nuk duhet të ndërmarrë aksion ushtarak ndaj Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.

Për më tepër, Grass pohon se është Izraeli ai që po e kërcënon “paqen edhe ashtu të brishtë botërore”.

Ndryshe, Grass nuk është personaliteti i parë publik të cilit i ndalohet hyrja në Izrael.

Në vitin 2010, ky fat e gjeti edhe linguistin dhe profesorin, Noam Chomsky, pas përpjekjes për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin Bir Zeit, në Ramallah.

Edhe profesori çifut, Norman Finkelstein, u arrestua dhe u deportua nga vendi. Në vitin 2008, atij iu ndalua hyrja në Izrael për dhjetë vjet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›