Gratë deputete prezantuan fushatën kundër kancerit të gjirit

Gratë deputete prezantuan sot fushatën mediale të përkrahur nga OSBE, me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit. Me sloganin “Mos vono - ndihmo luftën kundër kancerit të gjirit”, deputetet u bënë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të mbështesin këtë projekt, i cili do të ndikojë në ruajtjen e shëndetit të grave.
Nisma e grave deputete të Kuvendit të Kosovës për sigurimin e një mamografie mobile për diagnostimin e kancerit të gjirit, fillimisht është parë si diçka e pa arritshme, por si duket puna jonë po rezulton me sukses, tha deputetja Donika Kada-Bujupi.
Shefi i OSBE-së në Kosovë Jeane Clud Schlumberger tha se, OSBE-ja me kënaqësi po e mbështetë idenë e grave deputete, raporton RTK.
” Kjo është një iniciativë e duhur, andaj ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesit përfshirë edhe sektorin privat, e po ashtu edhe organizatave tjera ndërkombëtare dhe vendore që ta mbështesin këtë projekt”, tha Jeane Clud Schlumberger.
Mamografi mobil që parashihet të jetë në shërbim të grave në tërë territorin e Kosovës, ka një kosto deri në 500 mijë euro, ndërsa gratë deputete deri me tani kanë arritur që ti mbledhin rreth 100 mijë euro/Indeksonline/