E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë dhe vajzat, me urdhër në takimin e LGI

Tri ditë më parë, në ambientet e Pallatit të Kulturës së Lezhës zhvilloi punimet konventa e Lëvizjes së Gruas për Integrim. Salla ishte mbushur me gra dhe vajza nga Lezha, por edhe nga Rubiku dhe Rrësheni. të cilat ishin bërë pjesë e këtij takimi jo për shkak të bindjeve politike të tyre, por nga frika e humbjes së vendeve të punës.

Ato shprehen se na është dhënë urdhër që në orët e para të mëngjesit për të marrë pjesë në një aktivitet pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë. Madje, ato janë lajmëruar që të jenë në pallatin e Kulturës që në orën 12:00, ndërkohë që aktiviteti ka filluar në orën 13:15. Gra dhe vajza kanë pritur për orë të tëra fillimin e aktivitetit, të imponuara nga eprorët e tyre, pasi në të kundërt lamtumirë punë.

Bëhet fjalë për nëpunëset e Bashkisë së Lezhës, infermieret e spitalit rajonal të Lezhës, qendrave shëndetësore, filialeve të postave, mësueset e disa shkollave, qendra e zhvillimit ditor Trëndafilat. Në këto institucione është paralizuar puna gjatë gjithë ditës së hënë.

Madje, jo vetëm nëpunëset shtetërore janë detyruar që të marrin pjesë në këtë konventë pa vullnetin e tyre, por edhe gratë dhe vajzat e stabilimentit të përpunimit të peshkut Eurofish. Këto të fundit përdoren nga eprorët e tyre për të mbushur sallat e takimeve politike që zhvillohen në Lezhë në këmbim të orëve të punës, e ndërsa drejtuesit vendorë dhe politikanët bëhen palë me eprorët e këtij stabilimenti duke shfrytëzuar në maksimum në punë këto gra dhe vajza të cilat paguhen me paga qesharake duke mos arritur të fitojnë as bukën e gojës.

Kreu i LSI, Ilir Meta, në këtë konventë theksoi se gratë nuk duhen thjesht si një dekor i një politike mashkullore, ndërkohë që realiteti flet ndryshe. Këto gra dhe vajza janë imponuar që të mbushin këtë dekor të konventës së LGI-së. Ndërkohë, liderit politik dhe të institucioneve shtetërore nga podiumet e tyre flasin për barazinë gjinore, të drejtat dhe liritë e grave janë të parët ata që i dhunojnë vetë këto të drejta.

Asnjë prej grave pjesëmarrëse, qoftë ato të institucioneve shtetërore, qoftë dhe ato të Eurofishit nuk pranuan që të flasin për mediat për urdhrin që u është dhënë, pasi i druhen humbjes së vendit të punës. Madje, shumë prej tyre u bënin lutje operatorëve që të mos i fokusonin në objektivin e kamerave të tyre.  / Lindita Kokaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›