Lezhë, pezullohet aplikimi për pasaporta
Mungesa e energjisë elektrike është bërë shkak i pezullimit të punës në zyrave e aplikimit për pasaporta pranë gjendjes civile Lezhë. Një situatë e tillë ka shkaktuar edhe radhë të gjatë aplikuesish, të cilët vinin nga vende të ndryshme të qarkut për të aplikuar për pasaporta me afat të përshpejtuar.
Qytetarët shprehen të indinjuar, pasi sipas tyre nuk po marrin shërbimin e kontraktuar. Qytetarët u shprehën se fakti që aplikojnë për pasaporta me afat të përshpejtuar, tregon se ata kanë diçka emergjente dhe vonesat po u shkaktojnë probleme. Ata theksuan se kanë disa orë që presin dhe shkak është bërë mungesa e energjisë elektrike.
Probleme në zyrën e aplikimit për pasaporta pranë gjendjes civile Lezhë ka pasur edhe disa ditë më parë, ku një defekt në kompjuter ka pezulluar aplikimin për tri ditë me radhë. Një situatë e tillë krijoi radhë të gjatë në zyrat e aplikimit dhe pakënaqësi të shumta tek qytetarët, shumica e të cilëve ishin emigrantë.
Pas mediatizimit dhe pas protestave të ushtruara nga qytetarët pranë prefekturës u bë i mundur riparimi i kompjuterit nga firma kontraktore dhe vënia ne eficiencë e tij. / Lindita Kokaj