Zgjedhja e presidentit, raundi i parë në 30 maj

Konferenca e Kryetareve / Foto arkiv
Konferenca e Kryetarëve ka caktuar si seancën e parë për votimin e presidentit atë që do të mbahet në 30 maj.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, është vendosur që procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të mos cenojnë axhendën e Kuvendit.
Kalendari i miratuar sot parashikon si seancën e parë për zgjedhjen e presidentit atë të datës 30 maj, ndërsa në mungesë të konsensusit, seancat e tjera do të caktohen në vijim. Paralelisht, Kuvendi vijon punën normalisht në seancat e së enjtes.
* * *
Kushtetuta parashikon që zgjedhjen e presidentit të vendit në pesë raunde.
Në tre raundet e para, Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar. Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde të tjera në të cilat kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me 71 vota.
Pavarësisht emrave që qarkullojnë në media si kandidatë të mundshëm për president, as maxhoranca dhe as opozita nuk kanë paraqitur zyrtarisht një emër konkret.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar një president konsensual, i cili të zgjidhet që në raundin e parë. / G.N.