E Diel, 1 Nëntor 2026

Blanka Vlasic, kroatja që kërcen shumë lart

Po të mos e kishim parë të kërcente në pistën e stadiumit të Berlinit, ku mori vesh se ishte kampionia e re e botës, kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha të Botërorit të Atletikës. Sepse Blanca Vlasic, 25-vjeçarja kroate nga Spliti, profesioniste në kërcimin së larti, e ka për zakon t‘i festojë fitoret më të rëndësishme me një lloj kërcimi rap mbi pistë. Me sytë jeshil, flokët gështenjë dhe trupin e përkryer, kroatja e ka të vështirë të dalë nga vetja. Edhe kur mori vesh se gjermania Friedrich nuk arriti dot të kalonte lartësinë 2.06, bëri të njëjtën gjë. Kërceu të famshmin "Vlasic dance". Por për atletët kjo nuk është gjë e re, sepse edhe Bolt, të njëjtën gjë bënte kur fitonte. Ndërsa për Blankën ka më shumë lezet. Në fund të fundit, është një kërcim që interpretohet nga një vajzë bukuroshe...

Fiziku i duhur

Nëse dikush e ka cilësuar si, edhe pse jo në ndonjë mënyrë të këndshme dhe pak elegante, por krejtësisht efikase, "shalëgjata", një motiv duhet të jetë. Me një gjatësi prej 193 centimetrash Blanka renditet ndër femrat më të gjata në botë, ku vetëm këmbët janë 1 metër e 8 centimetra. Është elegante, me muskuj të bonifikuar dhe një sharm që duket haptazi në çastet kur kërcen mbi shkop. Një motor perfekt i vënë në punë falë ndihmës së babait Joskos (që edhe sot mban rekordin kroat në dekatlon), që kujdeset për përgatitjen e saj fizike dhe nga një ish-sportist i kërcimit së larti, që kujdeset për aspektin teknik të saj. Babait Josko i takon edhe një tjetër përgjegjësi: ajo e emrit të vajzës. Sepse Josko dëshironte ta quante të bijën Casablanka, nga qyteti ku triumfoi në një edicion të lojërave mesdhetare, por kundërshtimi i nënës ishte i rëndësishëm. Blanca ishte emri që i bindi dhe i bëri të gjithë për vete, por më shumë tingëllon edhe si një emër i vërtetë kroat.

Rekordi botëror

Në Berlin, Blanka u shpall kampionia e re e botës në kërcim së larti, me kuotën që e ndan goxha nga rekordi i ri botëror; një nga rekordet më jetëgjatë në historinë e atletikës, i vendosur nga legjendarja Stefka Kostadinova, më 30 gusht të vitit

1987, gjatë kampionatit botëror në stadiumin olimpik të Romës. Në atë kohë, kampionia bullgare e fitoi këtë titull duke kërcyer në një lartësi prej 2 metrash e 9 centimetrash, një kuotë që Blanka ka provuar ta kalojë disa herë, por pa sukses. Edhe në Berlin, kur e pa se kishte siguruar titullin botëror, provoi të thyente rekordin me 2.10, por pa asnjë sukses. Megjithatë shifrat dhe fitoret e bëjnë kandidaten më serioze për të pasuar dhe për të zënë vendin e Kostadinovës në librin e rekordeve, sepse ajo ka arritur të kalojë një lartësi deri në 2 metra e 7 centimetra. Edhe pse pak larg rekordit, Vlasic renditet ndër emrat që kanë shkruar historinë e sportit në Kroaci. Emri i saj rreshtohet krahas legjendës së tenisit Ivanisevic dhe skiatores Janica Kostelic.

Familje sportistësh

Një shtëpinë Vlasic sporti është një pasion i përbashkët që nuk ka prekur vetëm baba Joskon dhe Blankën. Edhe e ëma, Venera, ka qenë skiatore dhe është njohur me të atin e Joskos kur erdhi në Split, për të frekuentuar kolegjin sportiv. Nga të tre vëllezërit e saj, 21-vjeçari, Marjan duket se është më i interesuar për t‘u marrë me atletikë, pasi nuk arriti dot të realizonte ëndrrën për t‘u marrë me basketboll në kolegjet amerikane. Megjithatë shpresa më e madhe e kësaj familjeje duket se është i vogli Nikolas, 11 vjeç, fenomen në futboll e që tani ka një kontratë me "Yllin e Kuq" të Zagrebit që stërvitjeve tri herë në javë me skuadrën u ka shtuar edhe punën e përditshme që bën me "familjen" në palestrën private. I vetmi që duket se nuk është përzierë fare me çështjet sportive është Lucas, 15 vjeç, që për momentin, në vend të atleteve sportive, preferon librat dhe studimet.

Zemra kroate

Shëtit në të gjithë botën në kërkim të rekordeve, sukseseve dhe medaljeve. Por është e vështirë të imagjinosh Blanka Vlasic larg nga Spliti i saj. Ajo jeton me të fejuarin në një apartament afër plazhit dhe stërvitet në palestrën e ndërtuar nga i ati në një qendër tregtare qytetare, në katin e katërt të një ndërtese që në të kaluarën ishte fabrikë. Pjesa tjetër e familjes jeton ende në një shtëpi të thjeshtë në Ulica Skodinska. Me pak fjalë, asnjë qytet tjetër në botë nuk mund të krahasohet me Splitin në zemrën e Blankës. Sepse Zagrebi me trafikun e tij dhe pamundësinë për të jetuar në mënyrë të fshehtë popullaritetin, ia vështirëson punën për shkak të fansave të shumtë.

Ëndrrat për medalje të arta

Në Sidnei 2000, Blanka ishte 16 vjeçe; në Athinë 2004 ishte e sëmurë, ndaj Olimpiada e Pekinit ishte prova e parë dhe e vërtetë. Para se të provonte fatin në Pekin, ku mori medaljen e argjendtë, Blanka pati deklaruar: "Kam një ëndërr: një garë kërcimi së larti në Split, në sheshin më të madh të vendit, aty ku bashkohet historia. Është një shesh ku mund të shohësh detin, dhe ne atletët mund të kërcejmë drejt qiellit. Në pak metra do të jetë esenca dhe natyra e njerëzve të mi, atyre që dua", ka deklaruar. Këtë gjë dëshiron ta bëjë sërish. Rreth saj me siguri që do të mblidhet një popull i tërë për ta duartrokitur dhe çuar drejt triumfit, duke kërcyer nën ritmet e "Vlasic dance".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›