Maia Morgenstern rikthehet në Shqipëri
Maia Morgenstern vjen për të dytën herë në Shqipëri. Aktorja e njohur rumune këtë herë ndalon në Durrës. Është e ftuara speciale e natës së sotme, që shënon edhe çeljen e edicionit të dytë të Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit, Durrës 2009. Ceremonia do të organizohet në orën 20.30 në Amfiteatrin Romak të qytetit, ku do të projektohet jashtë konkurrimit filmi fitues i çmimit "Oskar" 2009, "Slumdog Millionaire". Për herë të parë, aktorja rumune u prezantua para publikut shqiptar si një nga nënat e shfaqjes teatrore "Vëllai i vdekur" (Kostandini dhe Doruntina), vënë në skenë nga regjisori grek Sotiris Haxakis, krahas aktores shqiptare Margarita Xhepa. Atëherë Morgenstern u shpreh se ishte mrekulluar nga natyra shqiptare, ndërkohë që rikthehet për një tjetër aktivitet artistik, tashmë në gjininë e filmit. Aktorja rumune, lindur në një familje hebrenje, i është kushtuar që në moshën 18-vjeçare filmit. Sot Maia Morgenstern ka interpretuar në thuajse 30 filma, është bërë e njohur botërisht për interpretimin e saj në filmin "Mundimet e Krishtit" me regji të Mel Gibson, në rolin e Marisë së Virgjër, nëna e Jezusit. Një tjetër i ftuar special i këtij festivali, që do të zgjasë deri në datën 30 gusht, është skenaristi dhe regjisori italian Paolo Sorrentino, si pjesë e një prezantimi që ky edicion i dytë i ka kushtuar kinemasë italiane. "Gjiganti" i Sorrentinos do të konkurrojë në Festivalin e Durrësit, ndërkohë që organizatorët kanë konfirmuar edhe praninë e tij gjatë ditëve të aktivitetit. Paolo Sorrentino, i lindur më 31 maj të vitit 1970 në Napoli, është një regjisor i njohur italian dhe skenarist. Ai filloi të realizojë filma me metrazh të shkurtër, si "L‘amore non ha confini" (Dashuria nuk njeh kufij) më 1998 dhe "La notte lunga" (Nata e gjatë) më 2001. Debutimi i tij i parë me një krijim me metrazh të gjatë ishte "One Man Up", që u vlerësua bashkë me Nastro d‘Argento për çmimin e regjisorit më të mirë. Ai mori vlerësim ndërkombëtar në vitin 2004 për trillerin e tij, "The Consequences of Love" (Pasojat e dashurisë), i vlerësuar me shumë çmime dhe i nominuar për "Palmën e Artë" në Festivalin e Kanës. "Gjiganti", filmi në konkurrim është një dramatizim kushtuar politikanit të shumëpërfolur italian Giulio Andreotti, i vlerësuar me Çmimin e Jurisë në Kanë. Prej janarit të këtij viti, Sorrentino është duke punuar në një skenar për një version filmi të Niccolò Ammaniti, "Ti prendo e ti porto via" (Do të shpie tej). Edicioni i dytë thuhet se do sjellë në konkurrim 18 filma, mes të cilëve edhe premiera rajonale dhe kombëtare. Filmat do të konkurrojnë në dy seksione: Balkan World/Botë Ballkanike dhe Contemporary Visions/Vizione Bashkëkohore, si dhe kinemaja retrospektive, në këtë edicion kushtuar regjisorit shqiptar Dhimitër Anagnosti. Në konkurrim do të jenë emra të njohur të kinemasë, si regjisori çek Peter Zelenka, me filmin "The Karamazovs", fitues si "Best Film" në "Czech Lion Awards", "La Pivellina" e regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimmel, fitues në "Europa Cinemas Label", ndërsa filmi më i mirë europian në "Karlovy Vary Film Festival 2009", "Ricky" me regji të Fransua Ozo, një ndër emrat më në zë të kinemasë franceze. Bullgaria me filmin "Bota është shumë e madhe dhe shpëtimi fshihet diku afër" nga regjisori Stefan Komandarev.