Mesi: Arsenali do të eliminohet! Venger: Jo nëse mbrohemi mirë
Rezultati 2-1 i ndeshjes së parë e ka vënë Barcelonën në një pozitë të tillë ku i duhet patjetër të mposhtë Arsenalin. Sezonin e shkuar e shpartalloi 4-1, por kësaj radhe të gjithë në “Camp Nou” e dinë mjaft mirë se nuk ka për të qenë kaq e thjeshtë. Edhe pse, futbollisti më i mirë në botë, Lionel Mesi, i ka dërguar një mesazh kërcënues Arsenalit para ndeshjes së kthimit në Champions League, duke thënë se loja sulmuese e topçinjve, automatikisht do t’i eliminojë ata. “Ne jemi të bindur në kualifikim. Sigurisht, kemi qenë të zhgënjyer pas humbjes në ndeshjen e parë në ‘Emirates’, edhe pse kemi krijuar shumë raste shënimi. Megjithatë, do të jetë histori tjetër në Spanjë. Nuk jam i sigurt nëse Arsenali është skuadër që di të mbrohet, ndërsa kjo do t’i bëjë që ata të hapen dhe të pësojnë gola. Ne jemi në gjendje që të shënojmë shpejt dhe të mbrohemi. Nuk është kjo mënyra se si luajmë. Nëse shënojmë, ne kërkojmë golin tjetër, pa marrë parasysh situatën. Jemi skuadër që gjithmonë krijon raste. Me rëndësi për ne është të jemi konkretë dhe në nivel para portës. Eliminimi ynë nga Interi sezonin e kaluar na ka motivuar edhe më shumë. Ne nuk e kemi menduar eliminimin e mundshëm, ndonëse jemi mundur në ndeshjen e parë nga Arsenali”, deklaroi Mesi.
Por nga ana tjetër, Arsen Venger thotë se Arsenali do të udhëtojë në ‘Camp Nou’ jo vetëm për t’u mbrojtur, por do të mundohet të gjejë hapësirë edhe për sulm. Arsenali fitoi me rezultat 2-1 ndeshjen e parë të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve, por kjo nuk do t’i ndalojë “topçinjtë” të mos kërkojnë edhe më shumë gola. “Ne do të shkojmë të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë mirë. Ne nuk jemi një ekip që mbyllet në mbrojtje. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur në mes të një ekipi që di të mbrohet si edhe një ekipi që ka mundësi të mira të shkojë në sulm kur e ka topin. Fitorja në ndeshjen e parë tregoi se ne mund të garojmë me më të mirët. E kam ditur se ne mund ta bëjmë atë dhe kam menduar se ka qenë vetëm pyetje e kohës”, ka thënë Venger, që i ka befasuar të gjithë me përfshirjen e sulmuesit Robin van Persi në skuadër. Është folur se sulmuesi kryesor i ‘topçinjve’ do të mungonte së paku katër javë si pasojë e dëmtimit të gjurit në finalen e League Cup, mirëpo holandezi është paraqitur në stërvitje të hënën duke dhënë shpresa që do të luajë kundër gjigantit katalanas. Por, edhe lojtarët e Arsenalit e ndjejnë shumë këtë sfidë. Shpresat e tyre janë të mëdha, sidomos pas lajmit se Çesk Fabregas do të jetë në fushën e blertë. Pikërisht Xhek Uajlshir thotë se rikthimi i kapitenit do të jetë një shtytje e madhe për ekipin për ndeshjen e sotme në kuadër të Champions kundër skuadrës më të frikshme të botës, Barcelonës. Uajlshir shkëlqeu në ndeshjen e parë në ‘Emirates’, kur Arsenali mposhti Barcelonën me rezultat 2-1, dhe është i bindur se ata mund të bëjnë një lojë të mirë edhe në ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohen për në çerekfinale të garës europiane. “Do të jetë një gjë e madhe tani që kemi Çesk me vete, ai është kapiteni ynë, lideri ynë, dhe mbase lojtari ynë më i mirë. Ne e dimë se mund të fitojmë në Barcelonë. Ne tani e dimë se mund t’i mposhtim ata, siç i mposhtëm në Emirates”, ka thënë Uajlshir, një nga premtimet më të mëdha të futbollit anglez.
Sfida tjetër e mbrëmjes është ajo mes Shakhtarit e Romës, por ukrainasit kanë arritur të fitojnë në transfertën e “Olimpico”-s duke arkivuar praktikisht edhe kualifikimin, ndonëse verdhekuqtë do të synojnë të bëjnë mrekullinë.