E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Fuqizimi i gruas, motor i fuqishëm për ndryshimin e botës

Të fuqizojmë rolin e gruas, si një motor i fuqishëm për ndryshimin e botës. Ky ka qenë apeli që Kryeparlamentarja e Kuvendit Jozefina Topalli bëri përpara grave dhe vajzave pjesmarrëse në Samitin Ndërkombëtar të Gruas "Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas". Topalli një falenderim të vecantë ia ka dedikuar ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, për rolin e saj të padiskutueshëm në dhënien fund të dhunës në Kosovë.
 

“Një falenderim të veçantë zonjës Albright. Me një guxim të madh, Ju ishit e para, Ju dolët haptazi duke i kërkuar Amerikës, demokracisë më të madhe në botë dhe ish presidentit të madh Bill Clinton t`i japë fund dhunës, gjenocidit e padrejtësisë në këtë rajon. Magdalen Albright guxoi. Ju zonjë ishit E DREJTA. Ju ndryshuat botën. Dhe ja ku jemi sot me një shtet të ri, të lirë dhe të pavarur, në një rajon që nuk ka më luftë. Unë ju jam mirënjohëse pa fund zonja Albright! Shqiptarët ju janë mirënjohës, rajoni ju është mirënjohës” u shpreh ajo.
 

Teksa ka vlerësuar rolin absolut të grave në familje dhe shoqëri, Topalli tha se çdo grua që përballon problemet e drejtimit të shtëpisë së saj është e aftë për të përballuar problemet e drejtimin të vendit ku jeton. Sipas Kryeparlamentares, gruaja nuk duhet vetëm të nënshtrohet, ajo duhet të sfidojë. Ajo nuk duhet të druhet. Ajo duhet të guxojë. Fuqizimi i gruas për Topallin është fuqizimi i nënës, është fuqizimi i familjes. Fuqizimi i familjes është fuqizimi i shoqërisë, i botës.
 

“Studimet e fundit thojne se gruaja është edhe me inteligjente. Unë besoj tek përkushtimi i saj. Unë dua që politika të ketë me mijëra zonja si Albright, me mijëra zonja si Thatcher, me mijëra zonja si Clinton, me mijëra zonja si Merkel. Unë dua që ekonomia botërore të ketë në krye me qindra zonja si Marisse Mayer. Njerëzit në të gjithë botën kanë qenë gjithmonë të impresionuar më shumë nga fuqia e shembullit tonë se nga shembulli i fuqisë sonë. Fuqizimi i gruas për ndryshim nuk duhet të jetë vetëm lakmi për të tjerët. Ai duhet të shërbejë si motor i rinovimit të botës. Fuqizimi i gruas është çështje e së drejtës. E për këtë ne duhet të dëshmojmë histori suksesi për të frymëzuar, për të dhënë më shumë kurajo grave kudo në botë. Ne duhet të kthejmë prozhektorët tanë tek ato gra që kane punuar dhe punojnë për të ndryshuar botën” theksoi Kryeparlamentarja.
 

Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kërkoi më shumë barazi dhe axhenda të përbashkëta për të forcuar më tej rolin e gruas.
“Ne do kërkojmë të vendosim partneritete të tjera, për të fuqizuar gjendjen e grave. Kam pasur nderin t`ju ftoj në këtë samit pasi përmes punës tuaj ju keni demonstruar lidershipin për këtë kohë. Kohë kjo ku duhet të kemi më shumë barazi dhe politika më të barazuara, në një kohë kur duhet të kemi më shumë zë në politikë dhe shanse më të mëdha për të siguruar jetesën për familjet tona edhe për një rol që të mbajmë themelrt e një shoqërie të drejtë”,- theksoi presidentja e Kosovës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›