E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e dhunuara kanë nevojë për ndihmë

Lajme, kronika, statistika, habi, bujë e thashetheme me protagoniste gruan. Historira keqtrajtimi, pakujdesie e mbijetese, përballë vështirësive e trilleve të fatit, por edhe nga ajo që fare mirë mund të quhet gjysma plotësuese e çdo gruaje, bashkëshorti, dëgjohen çdo ditë, e ajo ç`ka është më e keqja, këto ndodhira po shtohen. Me sy të lodhur, të trembura gjer në vdekje nga rrahjet e shumta, ato janë sfonde tablosh të zymta të kësaj shoqërie indiferente në këtë drejtim, janë pamje të trishtuara të ndodhura jo në vende të pazbuluara, por kudo rrotull nesh e në mesin tonë. Historitë e tyre mund të shërbejnë fare mirë si skenarë librash e tema filmash tragjikë. Nga padituria apo jo, nga ndjenjat apo jo, nga karakteri apo jo, nga injoranca e mospërkrahja dhe ajo ç`ka është më kryesorja, nga moskurajoja e tyre, këto gra janë të destinuara për të tillë fat. Këto drama të përfunduara apo në zhvillim e sipër, drama të luajtura nën dritën e diellit, brenda rrethit tonë shoqëror, luhen me një heshtje tragjike e të ngjethshme. Për hir të fëmijëve, për hir të familjeve nga ato vijnë, përballë paragjykimeve të shoqërisë, ato durojnë duke harruar që këtë forcë ta përdorin në kahun e tyre për të mbrojtur vetveten e për të parë përpara. Kundrejt tyre qëndrojnë burrat, burra që s`mbajnë era fisnikëri, burra të paaftë për t`u falur lumturi bashkëshorteve të tyre. Duke rënkuar nga krizat e thella të gjendjes së tyre të pasigurt, për ballë pengesave reale të jetës, ata çoroditen, zgjerohen, egërsohen e shfryjnë inate të mbledhura mbi to, duke harruar faktin se çdo grua është e madhërishme në thjeshtësinë e saj.

Kjo grua e nëpërkëmbur thërret në orët e stërzgjatura të agonisë së saj për pak ngrohtësi, pak ndihmë e mbështetje, i thërret kësaj shoqërie, familjes e vetë shtetit me shpresën se do dalë një dorë që të ndalë dhunën që ushtrohet mbi të. Për sa kohë që kjo shoqëri do ecë me tabutë e fiksuara thellë në vetëdijen e saj, se “këto s`janë punët tona”, për sa kohë, që instancat shtetërore nuk do marrin në mbrojtje viktimat e dënuar autorët, për sa kohë që organizatat Joqeveritare të mos përkrahen, fuqizohen e të mos bëjnë publike punën dhe forcën e tyre reale në mbrojtje të grave të dhunuara, të jemi të sigurt, se viktimat do të shtohen si kërpudhat pas shiut. S`duhet harruar që jetojmë në një shoqëri të lirë, ku çdo individ me arsim apo pa arsim, mashkull apo femër, ka të drejtat e veta, që fillojnë që nga momenti i lindjes e gjer në vdekje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›