E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godet gjyqtarin në zyrë, arrestohet 20-vjeçari

Pogradec- Ngjarje e pazakontë në gjykatën e rrethit të Pogradecit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se shtetasi 20-vjeçar, Marsel Kovaçi është futur në zyrën e gjyqtarit të këtij rrethi, Agron Papajani dhe e ka kërcënuar këtë të fundit, pse nuk po dënohej autori që para pak muajsh kishte qëlluar me thikë mbi të.

Gjyqtari Agron Papajani, mësohet t’i ketë thënë 20-vjeçarit se gjyqi do të zhvillohet sipas programit. Deri tani është zhvilluar një seancë dhe priten të vijojnë të tjerat.

Burime nga gjykata bëjnë me dije se Kovaçi befas e ka qëlluar gjyqtarin me grusht në fytyrë, duke i lënë edhe një shenjë dalluese nga një unazë metalike që ai mbante në gisht.

Menjëherë ka ndërhyrë polici i shërbimit të gjykatës dhe më pas ka mbërritur edhe grupi i gatshëm i policisë, që ka bërë shoqërimin e të riut. Pak më vonë është bërë ndalimi i tij. Reagimi i të atit të djalit është shoqëruar edhe me ndalimin e tij, ndërkohë që dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›