E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elefanti nuk goditet me saçme

 

Shpesh, çdo njeri në jetën e përditshme ndeshet me situata të marrjes së vendimeve që përmbajnë siguri. Gjithashtu për çdo forcë politike që gjendet përpara një sfide elektorale, pyetja që shtron natyrshëm është: Sa është “shansi” që mund të fitojë? Analiza më e saktë e situatave të tilla është e mundur vetëm duke i parë ato në kuadrin e probabilitetit. Por le të mos e lodhim lexuesin me terma shkencorë, po të shpjegojmë me fjalë të thjeshta se çfarë është probabiliteti, i cili jep një mekanizëm për matjen, shprehjen dhe analizën e pasigurive, që lidhen me ngjarjen në të ardhmen. Po jap një shembull: Nëse në raportin e stacionit meteorologjik thuhet se probabiliteti i rënies së shiut do të jetë afërsisht zero, me këtë kuptojmë se nuk ka asnjë shans që nesër do të bjerë shi, përkundrazi nëse mundësia e rënies së shiut vlerësohet me një probabilitet 90%, atëherë e kemi të qartë se rënia e shiut të nesërmen është një ngjarje pothuajse e sigurt. Nga ana tjetër, në rast se probabiliteti është 50% tregon se rënia ose mosrënia e shiut janë ngjarje njëlloj të mundshme.

Nisur nga kjo logjikë, konkludohet lehtësisht se zgjedhjet për pushtetin vendor 2007 tregojnë se probabiliteti që Partia Socialiste të fitojë betejën elektorale për zgjedhjet politike në vitin 2009 është i madh. Për këtë janë bërë dhe do të bëhen sondazhe nga kompani të specializuara, por megjithatë PS është një forcë politike probabilisht fituese.

Rezultatet e para disa ditëve në komunën e Kasharit, sipas teorisë së probabilitetit nuk mund të tregojnë asgjë për shansin e zgjedhjeve politike 2009 për faktin e thjeshtë se ky është vetëm një rast i izoluar, kësaj situate i shkon për shtat një shprehje gjermane: “Ein mal ist kein mal”, që do të thotë në shqip: “Njëherë, është asnjëherë”. Në këto raste mund të përdoret vlerësimi subjektiv, si intuita, përvoja lidhur me problemin dhe gjithë të dhënat e mundshme që ekzistojnë, por në fund të fundit, ai rezulton një vlerësim personal.

Nga vlerësimet e politologëve del se ky rezultat i dedikohet karakteristikave që ka popullsia e zonave të vogla, ku dominon mentaliteti “më mirë një trumcak sot në dorë, sesa një pëllumb nesër në degë”. Parë në këtë optikë, nuk ka fare vend për zhgënjim, demoralizim apo në të kundërt, mburrje, entuziazëm e akoma më keq, rendje për të marrë të drejtën e vendit të dytë si fitues. E gjitha kjo duket kaq qesharake në sytë e opinionit publik, i cili për hir të së vërtetës nuk është se e kanë pasur shumë vëmendjen tek zgjedhjet lokale të Kasharit, për vetë faktin se ishte rasti i një zëvendësimi.

Ku dallon gara midis dy individëve të një komune nga gara politike?

Sigurisht që nuk do të marr përsipër të bëj leksion mbi këtë temë, aq më tepër për njerëzit që jetojnë në fshat, sepse më shumë se ata nuk mund ta kuptojë askush. Ata njerëzit e fshatit, ata që në breza jetojnë pranë njëri-tjetrit, në dallim nga banorët e qytetit, ndajnë midis tyre hallet dhe gëzimet, marrin dhe japin borxhe për të kaluar vështirësitë ekonomike, bëjnë krushqi me njëri-tjetrin. Ata, njerëzit që i dinë mirë dhe i respektojnë me fanatizëm normat morale, e dinë mirë se ç’është miku dhe miqësia, e dinë mirë se ç’është turpi edhe nderi. Atje në fshat gjendet gjithë çiltërsia e dashuria njerëzore, ata në fakt janë kripa e jetës. Në këto kushte në garën midis tyre ata nuk mund dhe s’ka sesi të venë mbi gjithçka, dasinë politike në zgjedhjet lokale.

Me një vështrim të shpejtë, përpos natyrës së marrëdhënieve që ekzistojnë midis banorëve të kësaj zone, të cilën u përpoqa të shpjegoj më sipër, është pak e vështirë të kuptohet, si mund të ndodhë që pak ditë pas këtij skandali këta zgjedhës, të cilët i përkasin një mjedisi kulturor konservator të votojnë për kandidatin e kësaj maxhorance. Po le të mos ngutemi në konkluzione, e të mos dyshojmë në memorien e këtyre njerëzve, sepse ata kanë përpara gjithë kohën e nevojshme për të reflektuar e për të treguar se ata nuk janë e s’mund të bëhen mburojë e turpit të një politike të dështuar.

Gjithë opinioni publik ka ndjekur këto ditë reagimin e partisë që fitoi vendin e dytë (për këtë meriton një “medalje”). Ajo ia kaloi edhe asaj që zuri vendin e parë, duke fërkuar duart nga ngazëllimi që PS humbi këto zgjedhje, por kjo nuk është hera e parë që e bën. Kjo parti i amplifikoi këto zgjedhje të pjesshme duke bërë komente në shtyp, ditë të tëra, pa pushuar për asnjë çast, me mburrje për luftën e saj të fortë, duke treguar sesi zbrazi gjithë artilerinë për të vrarë një “buburrec” nga e djathta, po nga ana tjetër shpenzoi të gjitha saçmat për të goditur një “elefant” nga e majta. Gjithë ky “arsenal armësh” u zbraz kaq shpejt, në kaq pak ditë, duket sikur mezi pritej një sebep që gjithë mllefi i grumbulluar të derdhet mbi PS dhe liderin e saj, pa ruajtur as më të voglën rezervë për të ardhmen. I gjithë ky spektakël, është për të ardhur keq.

Asnjë e keqe nuk vjen për keq. Mbas kësaj “humbjeje”, në pak muaj populli shqiptar, përfshirë edhe atë të Kasharit, do të prekë ëndrrën evropiane, ëndrrën e politikës së re që do të na ndajë definitivisht nga politika e vjetër, e sherrit, e gërrmërit, e luftës së fiksuar për pushtet personal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›