SHBA: "Berisha", regres, rrezikoni NATO-n
- Burime diplomatike amerikane thonë se SHBA janë të shqetësuara veçanërisht për përpjekjen për të vënë nën kontroll institucionet demokratike në vend
TIRANË- Shqipëria rrezikon të mos bëhet brenda këtij viti anëtare me të drejta të plota në NATO për shkak të shqetësimeve serioze të disa kancelarive perëndimore, dhe veçanërisht të SHBA-së, rreth deformimeve që po ndodhin në jetën e institucioneve demokratike në vend. Burime diplomatike zyrtare të SHBA-së të akredituara në vendin tonë zbuluan në një takim informal me gazetarët shqiptarë faktin se në Ëashington po rritet shqetësimi për hapa prapa në politikat qeveritare, të ndjeshme këto që nga pranvera e këtij viti, çka mund të rrezikojë mosratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Referuar pikërisht takimit informal që u bë publik dje në një media të shkruara dhe ato televizive, thuhet se SHBA janë të shqetësuara veçanërisht për përpjekjen për të vënë nën kontroll institucionet demokratike në vend. Referuar pikërisht këtyre burimeve, shqetësimet e diplomatëve amerikanë në Tiranë mbështeten mbi një sërë zhvillimesh që ata i konsiderojnë negative prej pranverës së këtij viti, pas ngjarjes së Gërdecit dhe që kanë në themel të tyre, përpjekje të dyshimta për të dobësuar institucionet demokratike në vend dhe për të shtuar kontrollin mbi to. Dyshimet shkojnë deri te përpjekjet për të deformuar vullnetin e zgjedhësve në vitin 2009, dhe këtu shtohen dyshime të arsyeshme për infrastrukturën e zgjedhjeve, si dhe sulmet ndaj Misionit të OSBE në Tiranë. Shqetësimet, të cilat janë shtuar dhe përbëjnë një arsye të fortë për të vënë në pikëpyetje ratifikimin nga disa vende perëndimore, përfshi SHBA, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, po shqyrtohen me kujdes në Uashington, me qëllim që gjendja të mos rëndohet. Burimet diplomatike në Tiranë thanë gjatë një takimi informal me gazetarët shqiptarë se Shqipëria është një vend mik i SHBA dhe se presidenti Bush ka një simpati të veçantë për Shqipërinë. Presidenti i ka kërkuar Senatit të ratifikojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe, nëse kjo bëhet sot, Senati mund ta votojë. Por, sipas burimeve diplomatike amerikane, Senati mund të ndryshojë në favor të demokratëve në nëntor dhe pas kësaj presidenti Bush do ta ketë të vështirë të bindë Senatin për një votë pro, nëse nga Shqipëria nuk vijnë sinjale pozitive. Diplomatët amerikanë në Tiranë thonë se disa vende të Evropës Perëndimore janë shumë hezituese për ta dhënë këtë votë pas këtyre zhvillimeve, por SHBA është e interesuar ta japë, nëse në Tiranë reflektohet dhe gjërat përmirësohen shpejt. Diplomatët flasin për një shtim të imazhit negativ të Shqipërisë, sidomos muajt e fundit, për një degradim të imazhit të Kryeministrit pas skandalit në Kuvend me deputetin Balla dhe për një pozicion të vështirë në të cilin është vendosur diplomacia amerikane për ta konsideruar qeverinë shqiptare dhe mike të SHBA, dhe me devijime të forta demokratike sa i përket qëndrimit ndaj institucioneve demokratike në vend.
Prokuroria
Shqetësimi kryesor ka të bëjë me institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Një projektligj, i cili pritet të futet me nxitim në axhendën e Kuvendit në vjeshtë, parashikon ulje të profilit të Prokurores së Përgjithshme dhe dobësim të vendimmarrjes së saj, si dhe rritje të ndikimit politik. Diplomatët amerikanë, të cilët kanë bërë demarshe ndaj Ministrisë së Drejtësisë për të kuptuar thelbin e kësaj iniciative, janë të shqetësuar, se kanë mbetur ende pa një përgjigje të qartë se çfarë qeveria ka ndërmend të bëjë me këtë gjë dhe kjo ka shtuar dhe më tepër dyshimet. Lidhur me Prokurorinë e Përgjithshme, përveç shqetësimeve publike që ka shprehur Ambasadori Amerikan në Tiranë, shikohet me shqetësim fakti që Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim poshtërues ndaj Prokurores kur ajo është paraqitur të raportojë, dhe ky konsiderohet sinjal i keq në Uashington.
Gërdeci
Shqetësimi i dytë, ka të bëjë me transparencën rreth skandalit të Gërdecit. Burimi diplomatik në Tiranë ka sqaruar për disa media, në një takim informal, se Uashingtoni nuk është i interesuar kush është fajtor apo deri sa lart shkon përgjegjësia, por është i interesuar vetëm të zbardhet e vërteta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajnë “gur prove” këtë proces për qëndrimin që qeveria mban ndaj drejtësisë, në një çështje ku zyrtarë të saj janë të përzierë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë parë si një zhvillim shumë negativ, faktin që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka fotokopjuar fjalimin e Fatmir Mediut në seancën e Kuvendit dhe i ka rekomanduar Prokurores së Përgjithshme të orientojë hetimet sipas deklaratave të zotit Mediu. “Kjo do të thotë, të diktosh hetimet dhe të kërkosh çfarë duhet hetuar e çfarë jo”,- citohet nga disa media, burimi diplomatik amerikan në Tiranë. Më tej akoma, shqetësimi i SHBA shkon te raportet e deformuara të shumicës me Presidentin dhe rrëzimi në bllok i gjashtë kandidaturave të Gjykatës së Lartë.“Është e pamundur që, në gjashtë kandidatë, asnjë të mos jetë i mirë”, - tha burimi diplomatik, ndaj ai votim ishte sinjal negativ për imazhin e Shqipërisë, pasi shumica shihej qartë që po përpiqej të diktonte përbërjen e asaj gjykate, sipas shijeve të saj politike. Ata, po ashtu, shikojnë me dyshim sulmet ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përpjekjes për ta vënë atë nën kontroll. Shqetësim serioz përbën dhe një përpjekje e kryeministrit Berisha për të ngritur një superagjenci Shërbimesh Sekrete, sipas modelit që ka drejtuar Këshilltari i tij i Jashtëm, Tom Ridge, në SHBA, pas 11 Shtatorit, një gjë që sipas burimeve diplomatike amerikane në Tiranë po shikohet si e panevojshme dhe më shumë akoma, me dyshim.
------------------------------------------
Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko deklaroi dje se gjithçka lidhet me Gërdecin
Majko: Qeveria po fut në krizë marrëdhëniet me të huajt
TIRANË-Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko deklaroi dje se ngjarja e Gërdecit është më e rënda në historinë e Shqipërisë në demokraci, që pas vitit 1997. Në një prononcim për mediat, menjëherë pas reagimit të burimeve diplomatike amerikane në vendin tonë, Pandeli Majko ka deklaruar se qeveria me qëndrimin e saj po fut në krizë reale marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Sipas Majkos, gjithçka lidhet me të vërtetën mbi Gërdecin. “Ngjarja e Gërdecit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në Shqipëri pas ngjarjeve të ’97-ës dhe ka ndikuar shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Në këtë mënyrë patjetër që kjo ngjarje do të ndikonte tek ndërkombëtarët”,- ka deklaruar Majko. Më tej, ai ka shtuar se një kritikë e tillë e SHBA-së cenon shumë imazhin e Shqipërisë pasi elementet e kritikës kanë të bëjnë me marrëdhëniet e qeverisë me Presidentin dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Po dje ka reaguar edhe Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, i cili konstatoi se qëndrimet e fundit të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë më vend. Sipas tij, bëhet fjalë për ekuilibra që kanë qenë të prishur muajt e fundit, veçanërisht mes Presidentit dhe Ekzekutivit por që duket të jenë kanalizuar. Duke iu referuar deklaratës së fundit të palës amerikane, Ceka shton se është një qëndrim i përhershëm i tyre sa i takon sistemit të drejtësisë. “Ajo është pika e forcës ku qëndron gjithë demokracia dhe balanca e pushteteve”,- tha Ceka.
------------------------------------------Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa deklaron pas qëndrimit të burimeve diplomatike
Reagon Oketa: Rruga për në NATO, e vështirë
TIRANË- Pas shqetësimit të SHBA-së, përcjellë përmes burimeve diplomatike amerikanë në vendin tonë, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka deklaruar dje se politika shqiptare i ka të qarta reformat që duhet të ndërmarrë për anëtarësimin e plotë në NATO, duke besuar se ky proces do të realizohet brenda Samitit të ardhshëm. “Gjithë politika shqiptare, e ka të qartë se çfarë reformash duhet të ndërmarrë dhe jam i sigurt se bashkëpunimi pozitiv që ka qenë vazhdimisht përsa i takon anëtarësimit në NATO do të vazhdojë. Besoj se brenda Samitit të ardhshëm do të bëhet realitet”,- tha Ministri i Mbrojtjes në një interviste për mediat menjëherë pas reagimit të burimeve diplomatike në Tiranë, se gjithçka po rrezikohet si rezultat i disa hapave prapa që Shqipëria ka ndërmarrë. Megjithatë edhe Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa pranon se rruga drejt anëtarësimit të plotë nuk është e lehtë. “Nuk është një rrugë e lehtë, përkundrazi është një rrugë akoma më e vështirë, pasi kërkesat janë akoma më të larta nga sa ishin para se të merrte ftesën për anëtarësim në NATO. Kur flitet për standarde të reja dhe nivele të reja është pak a shumë si një sportist i cili për të arritur një rekord të ri, duhet shumë mund e shumë stërvitje”,- tha ai.