Të investosh në Europën Lindore?
Komisioni Lindor i Ekonomisë Gjermane merret me çështjet e firmave gjermane që operojnë në tregjet e Europës Lindore. Që prej vitit 1952 ky komision përpiqet të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike gjermane. Deri tani Europa Lindore ka qenë synim që ja ka vjeltur për investitorët dhe firmat gjermane. A zhvillohet bashkëpunimi ekonomik reciprokisht, apo është ai vetëm me një drejtim, nga Perëndimi në Lindje? Gjithnjë e më shumë firma janë duke dalluar edhe anët e errëta të Europës Lindore dhe Juglindore. Komisioni Lindor i Ekonomisë Gjermane informoi këtë javë në Berlin për gjendjen aktuale.
Falë rritjes së të ardhurave nga Kaliningradi në Wladiwostok sundon optimizëm konsumi prej të cilit përfiton, ndër të tjera, edhe ekonomia gjermane e automobilave. Meqenëse Rusia vazhdon të jetë treg i dëshirueshëm dhe i preferuar për firmat gjermane, ato lëshojnë në kor lëvdata. Klaus Mangold, nga Komisioni Lindor i Ekonomisë Gjermane: “Ekonomia gjermane ka në axhendë tre tregje të mëdha: Indinë, Kinën dhe Rusinë. Ndër këto tre vende, Rusia ka pozicionim më të mirë, për shkak të sasisë së madhe të lëndëve të para dhe të energjisë. Ato çka nuk i ka Kina dhe që i ka në formë të kufizuara India dhe Brazili".
Si uji në vodkë duket se është duke patur efektin e tij ligji rus për kufizimin e investimeve, i cili duhet të ngrinte pengesa të pakapërcyeshme deri në fund të vitit. Ai duhet të ketë efekt në 40 sektorë të ekonomisë, kryesisht në teknikën nukleare, në nxjerrjen e gazit dhe naftës, si dhe në nxjerrjen e lëndëve të para. Gjermania ndodhet në të njëjtin proces, reformimin e ligjit për ekonominë në sektorin e jashtëm, i cili duhet të pengojë investimet shtetërore nga vendet e tjera, si për shembull nga “Gazprom”. Për ish-menaxherin e Daimler-Benz-it, kjo nuk i sjell mirë Gjermanisë: “E tmerrshme! Ne kemi traditë të madhe si treg liberal dhe i hapur. Ne themi gjithnjë se jemi kampionë në eksporte. Kush eksporton shumë duhet të lejojë që edhe firmat e huaja të mund të vijnë në Gjermani. Ato vijnë këtu sepse ndihen mirë dhe se kërkojnë të ndodhen në një treg të mirë. Pse duhet t’i mbajmë larg ata? Unë mendoj se ndodhemi në një rrugë të gabuar". Me gjithë euforinë e shkaktuar nga shifrat në rritje të ekonomive lindore, ka ardhur koha që të thuhen të vërtetat. Për firmat gjermane nuk sjell më shumë përfitim zhvendosja e sektorit të prodhimit në Evropën Lindore. Arsye për këtë janë ulja e kostos në Gjermani dhe njëkohësisht rritja e tyre në Evropën Lindore: “Unë mendoj se interesi i ekonomisë gjermane Outsourcing ose Offshoring është në rënie, sepse ndërkohë ekonomia gjermane ka arritur një pozicion të mirë konkurrues, i cili mund të përmirësohet vetëm pjesërisht, ose aspak, nga ndryshimi i vogël i rrogave dhe të ardhurave që arrihen nga vendosja e firmave gjermane jashtë vendit. Në qoftë se në Gjermani duam të mbetemi të arsyeshëm, me gjithë shtesat e rrogave dhe të ardhurave që pritet të ndodhin, unë mendoj se nuk ekziston asnjë rrezik se firmat gjermane do të vazhdojnë të largohen nga Gjermania, përkundrazi, tendenca do jetë në rënie".
Më e rëndësishme se sa prodhimi i lirë në Europën Lindore, për firmat gjermane po bëhet pushtimi i tregjeve të atjeshme me një firmë të atjeshme. Një vend si Rumania, me 22 milionë banorë, po bëhet gjithnjë e më atraktive vetëm për këtë arsye. Përpjekjet për ekspansion nuk janë të mëdha në vendet ku infrastruktura nuk është e zhvilluar në të njëjtin nivel, si për shembull në Europën Lindore. Klaus Mangold sheh një problem në rritje të vetëdijes: “Unë mendoj se infrastruktura është shumë më e rëndësishme se sa rrogat e ulëta. Dhe investicionet janë nxitës të infrastrukturës në shoqërinë e globalizimit. Prandaj të gjithë janë duke punuar me presion të madh për privatizimin e aeroporteve, për ndërtimin e rrugëve dhe ngritjen e qendrave të logjistikës”.
Në Ukrainë mbillet vetëm gjysma e sipërfaqes së tokave bujqësore. Në Rusi vetëm 25 për qind. Një nuhatës i mirë tregohet ai që prodhon tani farërat në këto vende. Bujqësia në Rusi, Ukrainë dhe në përgjithësi në Europën Lindore është interesante për fermerët, prodhuesit e plehrave dhe firma të tjera të ngjashme. “Në këtë sektor ka nevojë për know-how perëndimor. Dhe ai fillon që me eksportin e kafshëve të gjalla, deri në ngritjen e strukturave përkatëse për prodhimin dhe shtimin e mishit etj. Dhe natyrisht edhe për sektorin shumë të rëndësishëm, teknikën e makinave. Në këtë sektor ekonomia gjermane përfiton shumë".
Shqetësuese për ekonomistët është inflacioni në Europën Lindore. Me ndjeshmëri të lartë reagojnë biznesmenët gjermanë ndaj pasigurisë të sistemit të drejtësisë, që vazhdon të jetë problem në Rusi, Bullgari dhe Rumani, si dhe ndaj mungesës së stabilitetit politik në Ukrainë, Serbi dhe Rumani. Mbi krizën financiare ndërkombëtare Komisioni Lindor flet pak, sepse deri tani ai nuk ka lënë gjurmë në Europën Lindore. Arsyeja, bankat Evropianolindore nuk kanë qenë angazhuar me biznesin e kredive amerikane.