Gratë marrin guxim, padisin burrat
Dhuna në familje është një ndër problemet më të mëdha që konstatohet sot në shoqërinë shqiptare. Sipas studimeve të fundit, afro 15 për qind e femrave që padisin dhunën janë me arsim të mesëm, por nuk përjashtohen edhe rastet e atyre që janë me arsim të lartë. Me kalimin e viteve situata ka ndryshuar, ku vihet re një rritje e rasteve të denoncimit të dhunës në familje, nga femrat. Vite më parë, dhuna mbështetej nga një masë e gjerë e shoqërisë, për shkak edhe të ligjeve kanunore, të cilat me kalimin e kohës kanë humbur fuqinë. Rasti tipi është ai i Kanunit të Lekë Dukagjinit, sipas të cilit, burrat kanë të drejtë të rrahin dhe fyejnë publikisht gratë e tyre. Kanuni ishte elementi që përkrahu diskriminimin e grave, por jo i vetmi. “Sot në Shqipëri gratë e dhunuara zënë një përqindje prej 91.51 gra që kanë paditur dhunën e ushtruar ndaj tyre, por nuk përjashtohet edhe një përqindje e lartë e atyre që nuk kanë gjetur ende guximin për të trokitur në dyert e gjykatës”, thuhet në raportin e shoqatës “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”.
Dhuna ndaj femrave nuk ka qenë e “ligjëruar”, vetëm në veri të vendit, ku kanuni ishte në fuqi, por edhe në jug të Shqipërisë, sipas zakoneve patriarkale.
E gjitha kjo do të shërbejë për t’ju sjellë në vëmendje një panoramë të asaj që vite më parë ishte pothuajse e legalizuar, por që sot dënohet me ligj. E megjithatë, raste të dhunës në familje konstatohen edhe sot e kësaj dite në shoqërinë shqiptare. Dashur pa dashur një fenomen i rëndomtë si ky ka prekur një pjesë të madhe të anëtarëve të shoqërisë tonë dhe ka ndikuar tek ata në forma nga më të ndryshmet. Problemi i dhunës fizike apo të asaj psikologjike, që sipas psikologëve, është edhe më e rëndë se ajo e para vjen si pasojë e një sërë faktorësh që ndikojnë drejtpërdrejt në të. Dhuna është një fenomen social kompleks. Për fat të keq vërehet se përhapja e saj sa vjen e po shtohet në shoqërinë tonë.
Gruaja vazhdon të jetë pjesëtari më i dhunuar në marrëdhëniet familjare. Statusi i saj është ende i nëpërkëmbur dhe i diskriminuar. Por problemi më i dhimbshëm e shqetësues vazhdon të mbetet dhuna që ushtrohet ndaj tyre. Krahas kësaj vlen të theksohet fakti që edhe pse ushtrimi i dhunës është tejet prezent në Shqipëri, ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për ta denoncuar atë është rritur ndjeshëm. Kjo është evidentuar sidomos nga muaji prill i vitit 2008 deri në qershor të 2009-s. Ky pohim vjen nga raporti më i fundit i avokatëve të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare. Në të theksohet se 91.51 për qind e paditëseve janë gra, 8.49 për qind paditësit janë burra. Viktimat e dhunës sipas këtij raporti të detajuar janë të kategorizuara në grupe të ndryshme. Në më të shumtën e rasteve, sipas avokatëve, viktima është me arsim të mesëm. E megjithatë, nuk përjashtohen edhe rastet kur gratë janë me arsim tetëvjeçar, të lartë, apo pa arsim. Rreth 14.73 për qind e grave, rezultojnë me arsim të mesëm, 10.04 për qind e tyre janë me arsim tetëvjeçar, ndërsa në 5.13 për qind të rasteve paditësja është me arsim të lartë. Vetëm 0.66 për qind prej tyre janë të paarsimuara. Psikoza që kanë krijuar shqiptarët në mendjen e tyre është se niveli arsimor është një faktor i rëndësishëm, si për ta parandaluar, ashtu edhe për ta nxitur atë.
Por në raport vërtetohet plotësisht e kundërta. Sipas tij, përqindja e lartë e grave apo vajzave të dhunuara që kanë përfunduar studimet e larta vërteton më së miri që niveli arsimor nuk është gjithmonë një arsye e fortë për parandaluar ushtrimin e dhunës ndaj tyre. E megjithatë, psikologët pohojnë se dhuna në më të shumtën e rasteve ushtrohet te gratë me arsim të mesëm ose tetëvjeçar. Sipas psikologëve, kjo ndodh pasi një paditëse e arsimuar, paraqet një person që di të ngrejë zërin dhe ta denoncojë dhunën, si pasojë e ndërgjegjësimit të tyre. Ato gra mund ta kuptojnë fare mirë që mënyra e duhur për të shpëtuar një herë e përgjithmonë nga ky mur i ngritur nga bashkëshortët e tyre, është denoncimi, duke u dhënë një mesazh sensibilizimi të gjitha femrave që ndodhen në pozitën e tyre.
#