Ambientalistët denoncojnë gjendjen skandaloze të sigurisë së ushqimeve në plazhe
Gjendja e sigurisë së produkteve ushqimore në plazhet e vendit, ka qenë një prej elementëve të cilat përsa i përket problematikës që ato kanë, janë bërë shkas për një studim kohët e fundit nga Ambientalistët të ndryshëm në vendin tonë.
Fastfudet e stisura, në cep të plazheve shqiptare, shitësit ambulantë të cilët përgjatë gjithë kohës enden midis rërës e pluhurit duke shitur produkte që përdoren nga të gjithë turistët, pore he shkaqet e problemet shëndetësore që sjellin ato janë vëzhgimet në të cilat janë bazuar vëzhgimet e shoqatave Ambientaliste. Sipas kreut të Ekolëvizjez, Xhemal Mato, studimi është kryer në pothuajse të gjithë bregdetin shqiptar duke kontrolluar, me detaje kushtet higjieno-sanitare në Fastfudet, dyqanet, por edhe restorantet apo hotelet që pohojnë e shesin produkte ushqimore. Sipas studimit të kryer rezulton se në bregdetin shqiptar shumica prej dyqaneve, apo kioskave u mungojnë të gjitha elementët e sigurt, për prodhimin e tregtimin e sigurt të produkteve ushqimore që konsumohen nga turistët. Në këtë kontekst shifra tronditëse që arrijnë deri në 60 për qind të kioskave, dyqaneve, fastfudeve por në shumë raste edhe të restoranteve e bareve në zonat bregdetare, shesin produkte ushqimore të pakontrolluara, të cilat prodhohen nga punonjës të papajisur me dokumenta nga inspektorati i higjienës për të ushtruar këtë veprimtari. Nga ana tjetër specialistë të mjedisit theksojnë faktin se zakonisht inspektorët e drejtorive të higjienës në rrethet bregdetare përfshihen në veprime korruptive me para nën dorë për të anashkaluar çdo shkelje të restoranteve, kioskave e fastfudeve në qytetet ku tashmë sapo ka nisur sezoni turistik. Stina e nxehtë sjell me vete probleme me sigurinë e produkteve ushqimore. Nëse ushqimet nuk mbahen në kushte të mira higjieno-sanitare, ato mund të shkaktojnë helmime, madje edhe epidemi. Në lidhje me këtë studimi i shoqatave ambientaliste bën me dije se gjatë gjithë sezoneve turistike në vend përgjatë gjithë viteve, helmimet kanë qenë një problematikë e theksuar për faktin se shumica e turistëve sidomos atyre vendas të cilët janë konsumatorët më të shumtë të ushqimeve të pakontrolluara që shiten shpesh edhe në rrugë.
Ushqimet
Zakonisht, shitësit ambulantë të cilët i shohim shpesh të tregtojnë në plazh nuk ndalohen nga askush, edhe pse në duar mbajnë produkte, që janë prodhuar me vezë e me elementë të tjerë që janë shumë të dëmshëm madje mund të themi edhe helmues në qëndrojnë në kushte jo të përshtatshme atmosferike e ekspozohen përgjatë gjithë ditës në rrezet e diellit. Në lidhje me këtë Ambientalistët theksojnë se fëmijët janë më të prekurit nga këto produkte të rrezikshme të cilat përveçse humbin të gjitha vlerat e tyre duke u ekspozuar në pluhur e në diell, përbëjnë rrezikshmëri të lartë për shëndetin e turistëve. Por jo vetëm kaq, në shumë raste edhe në fastfudet e stisura e të sajuara nga shitësit në plazhe tregtohen produkte ushqimore të pohuara në kushte tejet ordinere në pamundësi të higjienës dhe kushteve të tjera për prodhimin e produkteve që konsumohen nga qytetarët, në këtë rast të plazhistëve. Në lidhje me këtë çështje kohë më parë vetë Ministri Vasili ka deklaruar se për këtë vit turistik do të merren të gjitha masat e duhura për reduktimin e prodhimeve të pakontrolluara por edhe penalizmin e të gjitha subjekteve që shkelin normat e lejuara me ligj. Në këtë kontekst urdhrat e ministrit të shëndetësisë janë vetëm fjalë në erë pasi vetë punonjësit e inspektoriateve shëndetësore përveçse marrin e përfitojnë shuma të majme nga pronarët e restoranteve apo të subjekteve të tjera që prodhojnë produkte të pakontrolluara nuk merren konkretisht me detyrën e tyre. Për këta punonjës nuk është marrë asnjë masë deri më tani, edhe pse ka rreth dy muaj që subjektet private në plazhe kanë startuar me shitjen e produkteve të ndryshme, dhe sezoni turistik ka mbipopulluar plazhet edhe për këtë verë.
Arta AGOLLI