E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierja e maternitetit Koço Glozheni, zbardh korrupsionin e mjekëve me gratë shtatzëna

Ministria e Shëndetësisë, indiferente edhe pse ka dijeni të rasteve të mitmarrjes së bluzave të bardha

Skandali i mitmarrjes së bluzave të bardha disa muaj më parë në maternitetin Koço Glozheni precedent i cili tashmë po ndiqet nga organet e drejtësisë ku u penalizuan tre mjekë dhe disa infermiere, zbardhet për gazetën SOT nga një prej infermiereve emri i së cilës

nuk përmendet në asnjë rast në asnjë nga dosjet që disponon prokuroria e gjykata. Sipas Renata Turhanit, infermiere për më shumë se 15 vjet në pavijonin e lindjeve, në maternitetin e ri, korrupsioni i mjekëve ka ekzistuar pothuajse përgjatë gjithë kohës, duke marrë si ryshfet për çdo shërbim, shuma të mëdha parash, që nga hyrja e pacientes në ditën e shtrimit ku të afërmit e saj duhet ti paguanin mjekut ose mjekes roje, 100-200 mijë lekë të vjetra si fillim e më pas, për çdo ekzaminim, vizitë apo shërbim tjetër gjobat e mjekëve varionin në shifra nga më të ndryshmet. Ndërsa përsa i përket çdo lindjeje disa prej infermiereve luanin rolin e ndërmjetësve midis mjekëve dhe të afërmve duke i thënë këtyre të fundit se për një lindje pa probleme duhet ti jepnin ndonjë kafe të vogël mjekëve në mënyrë që mos të kishte asnjë ndërlikim gjatë lindjes. Shuma e cila në 70 për qind të rasteve, ishte e përcaktuar në shifrën prej 80-150 mijë lekësh për çdo lindje të foshnjave nga nënat shtatzëna. Infermierja e kontaktuar nga gazeta SOT zbardh të gjithë skemën e mjekëve dhe të infermiereve një pjesë prej të cilave tashmë janë arrestuar, persona që sipas infermieres janë të përfshira në afaret e mjekëve duke mbuluar çdo lëvizje të tyre, dhe kanë marrë si shpërblim pjesën e tyre të parave nga korrupsioni që është bërë në këtë rast me nënat shtatzëna e të afërmit e tyre. Sipas saj, shumica prej mjekëve të cilët kanë qenë të përfshirë në skemën e mitmarrjes janë ende në punë e njerëz të cilët kanë punuar me përkushtim, janë pezulluar nga puna. Kam 8 muaj pa punë, është e tmerrshme të qëndrojnë në spital njërëz të cilët janë të korruptuar kokë e këmbë, e ne që i jemi përkushtuar gjithë jetën kësaj detyre, kaq fisnike të pritjes së foshnjave e përkujdesjes së tyre, po përpiqemi të rifitojmë respektin e njerzve tha për gazetën infermierja Turhani. Sipas saj, është skandaloz fakti që disa prej mjekëve të cilët kanë qenë personat direkt të mitmarrjes në rastin kur bashkëshorti i një prej pacienteve të shtruara, janë ende në krye të detyrës e janë pushuar me pa të drejtë, persona të tjerë që nuk kanë pasur asnjë lidhje me rastin konkret.


Precedenti
Bashkëshorti i një prej pacienteve të shtruara në pavijonin e lindjeve në maternitetin Koço Gliozhenidenoncoi rreth 9 muaj më parë, publikisht rastin e mitmarrjes, duke paraqitur madje edhe prova për paratë të cilat i kishte kërkuar infermierja në emër të mjekut të rojes. Sipas Turhanit, vetë ajo është përfshirë me pa të drejtë në këtë skemë mitmarrjeje duke e pësuar nga vetë koleget e saj të cilat për të dalë pa precedent nga kjo çështje kanë deklaruar edhe emrin e saj.  Në këtë aspekt Turhani deklaron e bën apel të ndëshkohen personat të cilët kanë qenë me të vërtetë të përfshirë në këtë skemë korrupsioni e tu hapet rruga e punësimit e cila tashmë për të është një problem i madh, ish infermiereve e mjekëve që nuk kanë pasur asnjë kontakt me bashkëshortin e pacientes që denoncoi rastin. Turhani thekson gjithashtu se në asnjë prej provave të paraqitura emri i saj nuk figuron dhe të gjithë prapaskenën e kanë krijuar koleget e saj për ta përfshirë në skemën e mitmarrjes me pa të drejtë.


Apeli
Arrestimi për mitmarrje i 4 bluzave të bardha në maternitetin Koço Glozheni ka irrituar pacientët dhe të afërmit e tyre  duke ndikuar negativisht në raport me mjekët e tjerë që shërbejnë në këtë maternitet. Lidhur me këtë ka reaguar drejtoresha e këtij materniteti Rubena Moisiu, e cila kërkon që ky rast të mos përgjithësohet duke nëpërkëmbur kështu figurën e mjekut. Në këtë volum të madh pune ka edhe difekte e mangësi që po përpiqemi ti eliminojmë. Janë vënë re disa reagime të pakëndshme. I bëjmë thirrje opinionit publik që të mos influencohet nga ngjarjet e fundit. Ata do gjejnë këtu shërbimin e një stafi të gatshëm, shprehet Moisiu. Mjekët gjinekologë të këtij materniteti tashmë përballen me vështirësi në rastet kur gruaja shtatzanë duhet të lindë me operacion, pasi janë të afërmit e tyre që reagojnë ashpër duke akuzuar mjekun se e fut në operacion me qellim për të marrë sa më shumë para. Grupi i mjekëve që u hetua dhe u konstatua se merret ryshfet kundrejt shërbimit ndaj qytetarëve, tashmë është i pezulluar nga puna dhe vazhdojnë procedurat e organeve të drejtësisë.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›