I nxehti afrikan, e marta kap pikun e temperaturave të larta
E marta parashikohet të jetë një nga ditët më të nxehta të javës së ardhshme. Por ndërsa reshjet e shiut pritet të shfaqen pas datës 21 qershor, mjekët rekomandojnë lëvizje sa më të paktë në rrugë në orët e mesditës dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe frutave. Këtë të shtunë lëvizjet në rrugët e kryeqytetit janë të pakta, ndërsa shumë qytetarë kanë preferuar të kalojnë fundjavën pranë bregdetit. Metereologët në Tiranë parashikojnë një fundjavë të nxehtë, me temperatura që do të shkojnë mbi 36 gradë celcius. Por termometri pritet që të shënojë vlera edhe me të larta termike, gjatë javës që do të vije, duke shënuar edhe temperatura që do të shkojnë në 38 gradë celcius, në qytet si Kuçova, Elbasani, Gjirokastra. "Edhe këtë fundjavë moti i kthjellët do të jetë prezent në gjithë territorin shqiptar. Në fakt, pasditja e të dielës do të ketë vranësira të lehta, kryesisht përgjatë kufirit lindor. Ndërsa, përsa i përket bregdetit dhe zonës së ulët dominohen nga kthjellimet. Temperaturat në fakt, dhe në mëngjes e mesdite, dhe gjatë kësaj jave që kaluam kemi patur temperatura relativisht të larta. Temperaturat dhe të shtunën dhe të dielën pritet që të arrihet maksimalja në rang vendi në 37 apo 38 gradë celcius. E hëna, e marta dhe e mërkura do të shënojnë tre ditë më të nxehta se ditët e javës që kaluam", tha Lajda Porja, metereologe. Vala e të nxehtit në vendin tonë, është normale sipas meterologëve, për stinën në të cilën ndodhemi. "Edhe pse në ditët e para të muajit qershor në fakt, u futën me temperatura më të freskëta mund të themi që këto temperatura janë tipike të stinës së verës, dhe tipike të muajit qershor. Por duhet theksuar që këto janë temperatura të matura në hije, që do të thotë që në vendet e hapura është më nxehtë se sa në hije", vijon Porja. Sipas një parashikimi të përgjithshëm, muaji qershor pritet që të mbyllet nga mot i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta , duke bërë që situata sinoptike të jetë favorizuese për pushuesit në bregdet, por kritike për ata që vuajnë nga sëmundjet kardiake, të cilët sipas mjekëve duhet të eleminojnë orët e paradites në diell.