Gratë në pushtet
50 vjet më parë, Sirimavo Bandaranaike, theu një rekord historik duke u zgjedhur kryetarja e parë femër e një qeverie në botë. Fitorja e saj ishte e jashtëzakonshme dhe i la të gjithë me gojë hapur e, mbi të gjitha, nuk ekzistonte ende termi që do ta përcaktonte pozicionin e saj. Ajo fillimisht u bë kryetare partie pas vrasjes së të shoqit, që e mbante më parë atë vend. Kjo ndodhi në vitin 1959. Kur partia që ajo drejtonte fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1960, ajo mori në dorë fatin e drejtimit të vendit dhe qeverisi deri në vitin 1965. Më pas u bë sërish Kryeministre gjatë viteve 1970-1977 dhe nga 1994 deri në vitin 2000. E bija e saj u bë ndërkohë presidentja e parë e vendit në vitin 1994. Për sa i përket ish-kryeministres, ajo u tërhoq nga qeverisja në vitin 2000 dhe një vit më vonë ndërroi jetë, ditën që votoi në zgjedhjet e përgjithshme.
Indira Gandhi, IndiAjo ishte bija e kombit, e rritur nën një vëzhgim të rreptë të të atit, i cili ishte Kryeministër i Indisë, i pari i shtetit indian pas shkëputjes nga sundimi britanik. Në vitin 1966, ndërsa vendi ishte duke kaluar një periudhë shumë të vështirë, Indira mori në dorë pushtetin dhe iu desh që ta nxirrte vendin nga situata shumë të vështira. Dhe qeverisja e saj zgjati dy dhjetëvjeçarë gjatë të cilëve vendi u përball me kriza ekonomike, kriza urie, pas disa luftërave civile. Gjatë qeverisjes dhe me pjesëmarrjen e saj u krijua edhe shteti i Bangladeshit.
Golda Meir, IzraelDikur e quanin “burri i vetëm i qeverisë” dhe kjo për shkak të mënyrës së shkëlqyer me të cilën drejtoi vendin dhe qeverinë. E gjatë, paksa e vrenjtur dhe gjithmonë e vendosur, ajo mishëronte dhe rrezatonte shpirtin e paepur të hebrenjve. Në një intervistë pati thënë se ajo ishte ajo lloj gruaje që nuk mund t’ia lejonte kurrë vetes që i shoqi t’i bëhej pengesë dhe t’ia ngushtonte horizontin. Pas një karriere politike, shumë të suksesshme, ajo mori drejtimin e qeverisë në moshën 70-vjeçare dhe e drejtoi nga viti 1969 deri në vitin 1974.
Margaret Thatcher, BritaniE quajtën “Zonja e Hekurt” dhe njihej për një temperament të vështirë dhe si shijuese dhe njohëse e uiskit. Ajo u shndërrua nga një shtëpiake e periferive në një grua të fuqishme, e cila dominoi politikën e vendit të saj nga viti 1979 deri në vitin 1990. Thatcher ishte Kryeministrja e parë femër e Europës, e vetmja që fitoi në tre mandate si kryeministre e konservatorëve. Gjatë 11 viteve në pushtet, ajo kreu një reformë në privatizime, i dha një dorë të lirë dhe shumë fuqi rregullave të rrepta të kapitalizmit, pa rënien e Bashkimit Sovjetik dhe konsiderohet si një nga lideret më të veçanta të Britanisë së Madhe të pas Luftës së Dytë Botërore.
Corazon Aquino, FilipinePas vrasjes së bashkëshortit të saj karizmatik, Corazon arriti që në zgjedhjet që pasuan, të fitonte simpatinë dhe mbështetjen e popullit menjëherë pas shporrjes së diktatorit Markos. Ajo erdhi në pushtet në shkurt të vitit 1986 dhe qeverisja e saj nuk ishte aspak e lehtë. Ajo u përball me një sërë grushtesh shteti dhe tentativash për ta rrëzuar nga pushteti, por gjithsesi arriti që, edhe pse me vështirësi të mëdha, ta ruante demokracinë e brishtë në vend.
Benazir Bhutto, PakistanVajza e dinastisë pakistaneze Bhutto ndoqi shembullin e të atit në politikë dhe vdiq për shkak të përfshirjes në politikë. E re dhe e famshme, ajo ishte një kontrast me establishmentin mashkullor që qeveriste vendin. Ajo ka qenë kryeministre e vendit në vitet 1988-1990 dhe më pas nga 1993-1996. Të dyja herët është rrëzuar nga pushteti për akuza për korrupsion. Ajo u qëllua për vdekje dhe u vra në vitin 2007, ndërsa po bënte fushatë elektorale.
Angela Merkel, GjermaniAngela është një “dukuri e rrallë” për botën politike gjermane. Ajo është e para kandidate që është rritur në Gjermaninë Lindore dhe e para femër në këtë post në vend. Për dhjetëvjeçarë me radhë është nënvleftësuar në botën e meshkujve, por nuk u dekurajua kurrë. “Unë nuk e kam nënvleftësuar kurrë veten dhe kam qenë gjithnjë shumë ambicioze, por sipas mënyrës sime”, ka deklaruar së fundi në një intervistë. Ajo tashmë është një nga kancelaret më të suksesshme dhe të vlerësuara të Gjermanisë.
Ellen Jonson, LiberiAjo e nisi punën, duke dhënë kontribut në kabinetin qeveritar të vendit si ministre në vitet ‘70. Më pas u bë zyrtare e lartë në OKB dhe në vitin 2006, gruaja e parë afrikane që u zgjodh kryetare shteti. Që kur ka ardhur në pushtet, ka punuar për të rimarrë ato që i takojnë vendit që pas luftës civile. Me një vullnet të hekurt dhe vendosmëri, ajo është zotuar që të punojë për të drejtat e grave dhe ta çojë vendin drejt një të ardhmeje me shpresë begati.
#