E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëlidhja iluzionuese

...ato që njohim përgjysmë (!)

Si bashkëlidhje iluzionuese mund të perceptohet një lidhje që nuk ekziston dhe në këtë mënyrë ajo bëhet imagjinare dhe e pakuptueshme. Por bashkëlidhja iluzionuese mund të jetë edhe një lidhje jashtëzakonisht e fortë, e cila në të vërtetë ekziston. Nëse dikush prej nesh pret diçka të rëndësishme (ose të papërfillshme), ai e sheh qartë atë. Kështu ndodh edhe në rast se pret një bashkëlidhje, të cilën jemi në gjendje ta shikojmë ende pa ndodhur e pa vepruar. Rruga e re e parkut të madh të Tiranës është bërë me të vërtetë tërheqëse: e shtruar bukur, e shoqëruar me pistë vrapimi, me stola pushimi, me ndriçim të gjetur dhe... më tej rritet niveli i imagjinatës seç mund të kishte kjo rrugë, domethënë rritet niveli i dëshirës për ato që mund të ishin më tej dhe që njerëzit realisht i perceptojnë sikur janë të pranishme, duke krijuar një bashkëlidhje iluzionuese. Kështu, mbrëmjeve secili nga ata (njerëz të shumtë) që praktikojnë këtë shëtitore plot ajër të pastër dhe aq të pëlqyeshme, perceptojnë çuditërisht se ekziston edhe një shfaqje artistike në teatrin e mirëmbajtur veror, se diku në një apo disa pika jepen filma humoristikë apo edhe artistikë në mjedise të improvizuara në natyrë me ekrane të mëdhenj, se nëpër bërrylat e gjerë janë punonjës shërbimi me uniformë që u japin drejtim gjërave të papëlqyeshme që edhe ndodhin (që nga papastërtitë e deri te një grindje) etj. Sigurisht mund të ndodhte edhe që njerëzit të gjenin biçikleta me qira (të shumta natyrisht!), mund të gjenin një librari nate, lodra për fëmijë (që nga motorët elektrikë e deri te një karusel i madh), patinat dhe shumë të tjera. Mirëpo të gjitha këto duken si ëndrra me sy hapur, sepse veç misrave të pjekur (një mjedis banal e në kundërshti të plotë me mjedisin e kulturuar e qytetar që të udhëheq gjatë gjithë rrugës) asgjë tjetër nuk të pret. Dëshira ekzaltuese do të donte edhe ndriçim mbi Liqenin Artificial, pastrimin e tij të domosdoshëm, sepse vjen në mospërputhje të plotë me atë që ekziston dhe me rrugën e re të ndërtuar, me vetë parkun dhe ajrin e pastër. Ndërkohë, ata “rojat” me uniforma shërbimi në pikat kyçe, nuk lejojnë asnjë motoçikletë që zhurmon dhe nxjerr tym, asnjë makinë. Madje për gjithçka që shërbehet secili nga ata që hyjnë në parkun e madh paguajnë një kuotë simbolike, të paktën sa një gazetë të shtrenjtë të përditshme. Le ta ketë emrin publik, tek e fundit publikut kështu i shërbehet më mirë. E gjithë kjo është një situatë e bashkëlidhjes iluzionuese. Të krijohet përshtypja sikur të gjitha realitetet e marra me mend ekzistojnë në fakt, por që të gjitha janë plotësisht të mundshme për t’u arritur. Socialpsikologia Mariet Berndsen (2006) shkruan posaçërisht për situata të tilla, jo vetëm si perceptim iluziv, por edhe si bashkëlidhje iluzionuese. Të rinjtë e vitit të dytë të një universiteti shëtisin gjithnjë në parkun e qytetit dhe aty shënojnë se çfarë duhet. Kërkesën ia çuan si peticion bashkisë. Kjo është e rëndësishme, sepse erdhi koha shpejt që këto u panë konkretisht nga studentët. Kështu edhe me të rinjtë universitarë që shëtisnin gjatë mbrëmjes së të dielës në parkun e madh të Tiranës. Ata piketuan në shënimet e tyre këto kërkesa, për t’u vendosur sa më shpejt gjatë rrugës së re, ose shëtitores së re, më e madhja dhe më e bukura në Tiranë. Buste në mermer, beton ose metal (për figurat e shquara të kombit dhe të kulturës), mjedise lojërash, kontroll i ambientalistëve në liqen, shëtitje me jaht, shfaqje artistike në teatrin veror, shfaqje filmash në sheshet e improvizuara në bërrylat kryesore të shëtitores etj. Kërkesat qenë të pafundme. Por, meqë nuk jetojmë në kohë iluzive, kërkohet që këto projekte të studentëve të vihen në jetë, qoftë edhe pjesë–pjesë. Atëherë do t’i shohin konkretisht, si dëshirë e realizuar dhe si perceptim real, një statujë, veprimtarinë e teatrit veror, shfaqjen e filmave, lodrat, shëtitjet me jaht dhe të gjitha praktikisht me pagesa të veçanta, ose si shfaqje publike, duke u përballuar nga bashkia. Prof. as. dr. Qazim Dushku (2009) u jep studentëve detyrën që të miratonin ose të kundërshtonin ndryshimin e gjuhës letrare shqipe me gjuhën angleze, ose me dialektin gegërisht në universitetin e tyre. Vendosja e anglishtes u tha (grupi i parë) se do të praktikohej nëse studentët e mbështesnin këtë ndryshim. Studentët e tjerë (grupi i dytë) mbështeti ndryshimin e gjuhës letrare shqipe me gegërishten (dialektin). “Universiteti është i lirë”. Shmangia e gabimeve është teori e mbyllur, por shmangia e të vërtetave nuk duket kaq e lehtë. Sepse studentët që kanë një interes të veshur na çojnë te rezultati si një bashkëlidhje iluzionuese. Për studentët që e kundërshtuan ndryshimin (në të dyja grupet) ka një prirje më të madhe për të keqinterpretuar pohimet e studentëve dhe për t’i quajtur ato kontradiktore. Kjo është pjesë e dëshirës së madhe njerëzore për të gjetur rregull, edhe në raste të zakonshme na bën të kërkojmë arsye për ngjarjet e pazakonshme apo paqëndrueshmëri mistike të gjendjes shpirtërore. Duke i atribuuar ngjarjet mbi shkakun ne vendosim rregull dhe i bëjmë gjërat të duken të parashikueshme dhe më të kontrollueshme. Eseisti frëng Montanj (1533-1592) shkruante: “Unë i shoh njerëzit më të etur për të zbuluar arsyet e një gjëje, se sa për të vërtetuar nëse ajo gjë është e vërtetë”. Ndërsa Elen Langer, socialpsikologe amerikane (Harvard, 2008) e vërteton këtë dukuri nëpërmjet vëzhgimit të kumarit real. Lojtarët e paaftë hedhin pak para për numrat e vegjël dhe shumë para për numrat e mëdhenj. Industria e kumarit shfrytëzon iluzionet e kumarxhinjve...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›