Parimi i kahershëm i shqiptarëve: Të bashkuar në diversitet
Është e vërtetë që jetojmë në një rajon të vështirë prej nga mund të vinte prishja e paqes dhe sigurisë globale. Jetojmë pra në Ballkan prej nga dhe nisi Lufta e Parë Botërore. Ishin serbët që kërkonin të merrnin Bosnjën dhe kryen vrasjen e Princit trashëgimtar, Françesko Ferdinado, më 28 qershor 1914, në Sarajevë. Pikërisht edhe për këtë arsye shqiptarët kanë qenë tejet të matur si ngahera, si prej shekujsh e shekujsh. Kanë treguar maturi, kanë shërbyer dhe vazhdojnë të angazhohen si një faktor paqeje jo vetëm në shtetin amë por edhe në shtetet e tjera përreth ku jetojnë shqiptarët. Të matur dhe të duruar ashtu siç nuk mund të ishte asnjë shtet tjetër nëse do të kufizohej me vetveten siç është rasti i Shqipërisë. Të duruar dhe të matur sepse ky është Ballkani, dhe ne të lashtët e këtij gadishulli e dimë mirë këtë, ndërsa popujt e tjerë të gadishullit veprojnë. Veprojnë t’u marrin rrënjësve të Ballkanit, kulturën e cila nuk u shkon për shtat, gjithsesi kërkojnë ta përvetësojnë, t’u marrin pra shqiptarëve trojet e tyre duke harruar kinse mikpritjen shqiptare. Ishin shekujt VI - VII kur u dyndën sllavët. Tani sllavët kërkojnë të na tkurrin ne? Qeveria malezeze me anë të mungesës së investimeve, me anë të varfërisë si kërcënim, ka nxitur dhe vazhdon të nxisë popullsinë shqiptare të Malit të Zi që të emigrojë drejt Europës apo Australisë së largët. Qëllimi është i thjeshtë: shqiptarët duhet të braktisin Malin e Zi. Askush nuk flet për këto ndërsa shqiptarëve u sugjerohet që të heshtin. Nga hibridi Jugosllav shpalli shpejt pavarësinë e saj Sllovenia, pastaj Kroacia, Bosnja, pastaj Maqedonia, Kosova mes luftërash të egra, pastaj Mali i Zi... Pardon! Pastaj Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova e cila vazhdon të pengohet në rrugën e saj përsëri nga sllavët. Të gjitha këto shtete të reja të Europës (me përjashtim të Kosovës natyrisht) me një gjuhë thuajse të përbashkët, më shumë të lidhura mes tyre sesa të ndara, janë aktualisht tërësisht të pavarura. Kosova ecën ngadalë sepse nuk dihet se ku është thënë dhe shkruar se shqiptarët duhet ta marrin gëzimin ashtu ngadalë si me pikatore. Heshtje? Nuk heshtin historianët europianë. Nuk flet, por shkruan në vitin 1994 francezi Paul Garde, njohës i thellë i Ballkanit dhe sidomos i vendeve sllave të Ballkanit. Nga e tërë Jugosllavia sipas historianit - «Dy provinca autonome janë të lidhura me republikën e Serbisë, dhe ky fakt lidhet me praninë e minorancave jo sllave: Kosova (popullsi shqiptare) dhe Vojvodina (minoranca të ndryshme me shumicë hungareze)». Kështu shkruan Paul Garde në librin e tij “Ballkani” të botuar 19 vjet më parë, atëherë kur për Kosovën dhe krimet që kryheshin kundër shqiptarëve kishte pllakosur heshtja. Atëherë kur shqiptarët e Kosovës sulmonin vetëm nëpërmjet vargjeve bilblike të poetëve të tyre. Kanë kaluar vite ndërkaq, por maqedonasit nuk kanë zgjidhur ende problemin e emrit të tyre me vendin fqinj të Greqisë. Zgjidhën aty për aty nën trysninë e ndërkombëtarëve çështjet me shqiptarët duke firmosur Marrëveshjen e Ohrit. Ne kemi mësuar që mos të ngrejmë zërin. Duhet të ishin dy flamurë, ai shqiptar dhe ai maqedonas. Mbizotëron ai maqedonas. Mbizotëron dhuna sllavo - maqedonase, mbizotërojnë policët e tyre, shkopinjtë, mbizotërojnë krimet. Nuk i ndal askush. Ndërkaq ata përpiqen me heronj të stisur të ribëjnë dhe të rindërtojnë historinë. Askush nuk i ndal përsëri. Edhe këtë herë janë përsëri francezët që me anë të ndonjë gazete të tyre orvaten t’i ndalojnë. Por ata nuk ndalen, ndërsa ne shqiptarët tregohemi përsëri të matur. Maqedonasit vijnë dhe pushojnë lirisht në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit. Nuk kanë probleme. Nuk hasin asnjë shqetësim. Në të kundërt, sapo zbresin nga autobuzët e shkollave fëmijët shqiptarë, qoftë në Strugë, Ohër apo në Shkup, masakrohen dhe rrihen. Masakrohen, rrihen dhe vriten. A nuk do të quheshin krime nën efektin e nacionalizmit këto? Kush mund t’i mbrojë këto krijesa të pafajshme?! Sllavo – maqedonasit, këta pra, a nuk duhen ndalur? Sepse në të kundërt ata do të thërrasin sërish në stadiumet e tyre: “vdekje shqiptarëve”. Kush do ta mbrojë gjakun shqiptar? Me një eksperiencë si profesor në SHBA dhe Gjenevë, Paul Garde përkthyes i poezisë sllave, në veçanti të asaj ruse, e përjashton plotësisht faktin se Shqipëria ndjek një politikë nacionaliste duke nënvizuar se: «Të tjerët ndjekin një politikë tejet nacionaliste. Në Greqi problemi i emrit të Maqedonisë është përdorur për dy vjet me qëllim për të ngritur një valë ultranacionaliste. Grumbullimet e njerëzve të organizuar për këtë temë dhe të inkurajuar nga pushteti të kujtojnë padyshim ato të Milosheviçit. Politika antimaqedonase dhe antishqiptare e udhëhequr në Greqi nga qeveria konservatore e Konstantin Micotaqis duket se është përkeqësuar akoma dhe më tepër nga kabineti socialist i Andreas Papandreu. Është imponuar një bllok total kundrejt Maqedonisë. Në fillim të 1994 në Shqipëri është shënuar një sulm i armatosur që të rikujton aksionet serbe të të njëjtit format si ai i Kroacisë tre vjet më parë». Shqiptarët nuk cilësohen si nacionalistë, shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë Shqipërinë e madhe, shqiptarët kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime. Profesori i Universitetit të Provencës shkruan në faqet e librit të tij për idetë e mëdha të bashkimeve artificiale të popujve të gadishullit ballkanik duke përjashtuar përsëri Shqipërinë nga këto bashkime të fryra. «Çdo shtet vlerëson të drejtën mbi territore mundësisht sa më të shumta, duke u kacavjerrë në periudha historike që parapëlqen: është ‘Idea e Madhe’ e grekëve, janë projektet e ‘Serbisë së Madhe’, ‘Romanisë së Madhe’, ‘Kroacisë së Madhe’, ‘Hungarisë së Madhe’ etj. Është llogaritur se nëse çdo shtet do të pushtonte sipërfaqen e pretenduar nga polemizuesit e tij, Ballkani do të ishte dy herë më i madh se ç’është në të vërtetë. Në 23 kufijtë aktualë ballkanikë, të paktën 19 prej tyre mund të ndezin një konflikt». Me siguri konfliktet nuk mund të vijnë nga shqiptarët të cilët i hapën dyert hebrenjve, në kohën kur popuj të tjerë i mbyllnin në dhomat e gazit, madje kanë pritur në shtëpitë e tyre, mes të tjerëve edhe ushtarët pushtues, (duke shkaktuar habi tek popujt ë tjerë), në momentet e tyre të kapitullimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne nuk dorëzojmë dhe nuk kthejmë askënd. Ne nuk dhunojmë, ne nuk vrasim. Dimë vetëm të presim. Ndërkaq në vendin fqinj, një i ri me flamurin shqiptar në duar festonte fitoren historike të kombëtares shqiptare me ish - kampionët e Europës. Mjerisht ai djalë nuk është më mes nesh. Nuk dihet ende ndërkaq se kush prej Perëndive arriti të mbronte Lord Bajronin të veshur me kostum shqiptar gjatë udhëtimit të tij në Ballkan. Kush prej Perëndive do t’i mbrojë shqiptarët? «42% e shqiptarëve, jetojnë jashtë shtetit që mban emrin e tyre» - nënvizon profesori Paul Garde. Shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë të dhunshëm sepse po të kishin qenë të tillë, sot nuk do të kishin ende probleme me bashkimin e gjysmës tjetër të shqiptarëve që jeton jashtë vendit amë. Shqipëria do të ishte një vend i konsoliduar dhe normal si gjithë të tjerët si Danimarka, si Gjermania e bashkuar, si Franca apo Italia. Por ne jetojmë në Ballkan dhe «në Ballkan kufinjtë e shteteve nuk përkojnë kurrë me atë të popujve [...]» - shkruan historiani francez. Por shqiptarët e kanë zgjidhur ndryshe. Kanë pritur dhe përqafuar Krishtërimin që në lindje të tij, shekuj më vonë Ortodoksinë dhe në fund atë që quhet vula përmbyllëse, Islamin. Sepse shqiptarët sipas formulës së famshme të Renan - it kishin “dëshirë për të jetuar bashkë”. Ndarjet mes besimeve të ndryshme u perceptuan nga shqiptarët më shumë si vlera sesa si ura ndarëse. Sepse «Shqiptarët janë i vetmi popull për të cilin identifikimi kombëtar imponohet vetëm nga gjuha dhe jo nga feja» - do të shtonte përsëri Paul Garde. Të bashkuar në diversitet, ka qenë ky parimi i shqiptarëve ndër shekuj. A nuk ka vendosur këtë parim në themelet e saj dhe vetë Bashkimi Europian? Vetë Franca e revolucionit a nuk i besonte idesë se qytetarët e një shteti përbëjnë një “komb”? Një komb që do të thotë një bashkësi homogjene e bashkuar nga territori, nga gjuha por edhe nga vullneti për të jetuar bashkë. Gjuha dhe bashkësia kulturore e shqiptarëve është një fakt i pamohueshëm ndërsa shteti dhe territori i shqiptarëve një ideal ende i parealizuar por i realizueshëm nëpërmjet integrimit europian.