E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Bekimi Apostolik për Balliun, një ngjarje e rrallë për të gjithë kulturën shqiptare

07-03-2013 / Gazeta 55

Vizitë e ministrit të Kulturës Aldo Bumçi në mjediset e Entit Botues “55, me rastin e marrjes së Bekimit Apostolik nga Papa Benedikti XVI. Petrit Ymeri: “Një vlerësim kaq i lartë i botimeve të “55”-s, një vlerësim edhe për auditorin shqiptar”

Dje në mjediset e Entit Botues “55”, presidenti i grupit dhe publicisti Fahri Balliu ka pritur urimet e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, me rastin e dekretimit të Betimit Apostolik, që Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, firmosi më 21 shkurt, në 15 vjetorin e themelimit të “55”-s. Së bashku me ministrin Bumçi, urimin e përcollën edhe këshilltari i tij, shkrimtari Bardhyl Londo, drejtori i Drejtorisë së Librit, Ermir Nika, si dhe botuesit Petrit Ymeri e Gëzim Tafa. Zoti Balliu i falënderoi mysafirët, duke shprehu besimin se ky Bekim Apostolik ishte në njëfarë mënyre një vlerësim për të gjitha përpjekjet e botuesve gjatë këtyre viteve, për të qëndruar në ballë të përpjekjeve për theksimin e identitetit perëndimor të shqiptarëve. “Unë e kuptoj vizitën dhe urimin e zotit ministër si një impenjim për të vazhduar kolanën e botimeve dhe shpreh respektin për ministrin e Kulturës, që ndjek hap pas hapi fushat e botimeve, të cilat për mua janë bazamenti i patjetërsueshëm dhe më i vërtetë i kulturimit të popullit, kulturimit të kombit dhe i mbrojtjes së kombit, tha zoti Balliu. Në këtë kuptim këto kanë një mesazh, do të thosha që është i përputhshëm me apelin hyjnor të Papa Benediktit XVI”. “Dëshiroj të përgëzoj zotin Fahri Balliu, gazetën “55” dhe Shtëpinë Botuese “55”, tha në përshëndetjen për stafin e Entit Botues dhe një numër bashkëpunëtorësh të tij, ministri Aldo Bumçi. Është një ngjarje e rrallë për të gjithë kulturën shqiptare, bekimi i Atit të Shenjtë, i Papa Benediktit XVI. Patjetër është një nder që i bëhet zotit Balliu dhe punonjësve të tij, për këtë fond dhe korpus që kanë krijuar, për botimet e tij. Bekimi vjen për botimin në gjuhën shqipe të “Jezusit të Nazaretit”, por jo vetëm. Edhe për një korpus letrar që fillon me veprën e Pjetër Pepës, ku dokumentohet përndjekja që i është bërë klerit katolik, përndjekja që i është bërë kishës në Shqipëri, me veprat e At Zef Valentinit, një nga kronologët më të njohur të kohës së diktaturës, si edhe me botime të tjera që lidhen me kulturën shqiptare, por edhe më kishën. Në mënyrë të veçantë dëshiroj që të them që ky bekim patjetër vjen nga Ati i Shenjtë, por merr një vlerë të shumëfishtë duke parë lidhjen që ka pasur Vatikani me kulturën shqiptare. Që në gjenezë, shkrimi i shqipes dhe mësimi i shqipes është i lidhur ngushtë me kishën katolike, theksoi ministri Bumçi. Ata që e shkruan, shqipja kur u dokumentua për herë të parë Meshari i Gjon Buzukut, veprat e Frang Bardhit dhe të autorëve të tjerë, janë perlat e kishës katolike që e shkruan të nxitur nga qëllimi që të përhapej sa më shumë gjuha dhe kultura shqipe. Shkollat e para shqipe të dokumentuara në gjysmën e parë të shekullit 17, në Lezhë dhe Shkodër janë hapur pranë kishave dhe misionarëve katolikë... pra shikojmë, që në gjenezë të shqipes së shkruar dhe mësimit të gjuhës shqipe qëndron kisha katolike. Vitin që kaloi për të nderuar 100-vjetorin e pavarësisë ne i jemi mirënjohës Vatikanit që solli në Shqipëri dokumentin e parë, Mesharin e Gjon Buzukut. Pra, në këtë kuadër ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm që i bëhet zotit Balliu, Shtëpisë Botuese dhe Gazetës “55”, por i bëhet edhe kulturës shqiptare dhe tregon këtë lidhje të fortë, këtë vëmendje që Selia e Shenjtë ka pasur për Shqipërinë, një lidhje e veçantë në emër të historisë, duke filluar që nga koha e Skënderbeut, një kohë e cila ka vazhduar edhe në vitet kur ne mendonim se ishim jashtë vëmendjes të botës, dhe për ne ka qenë e veçantë. Është një vlerësim për këtë Shtëpi Botuese por edhe për kulturën shqiptare nga Ati i Shenjtë, për më tepër që është një nga aktet e fundit të tij në krye të kishës katolike”. Edhe zoti Petrit Ymeri, president i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, shprehu kënaqësinë, që një botues kishte marrë bekimin apostolik nga Ati i Shenjtë. “Është kënaqësi që vlerësohen kolana të rëndësishme, botime të rëndësishme të shtëpisë botuese 55, të drejtuar me pjekuri, me profesionalizëm nga kolegu ynë Fahri Balliu, tha zoti Ymeri. Natyrisht ka mjaft vite që kolonat e shtëpisë botuese “55” janë të njohura dhe të mirëpritura nga lexuesi ynë, se në fund të fundit është lexuesi që ka gjithmonë të drejtë. Edhe ky rast, ky eveniment, një vlerësim kaq i lartë i botimeve të shtëpisë botuese 55, por edhe një vlerësim përgjithësisht për auditorin shqiptar edhe të gjithë ne kolegët jemi të kënaqur që marrim pjesë në këtë vlerësim, në këtë përgëzim të botimeve”.
Që prej themelimit, 15 vjet më parë, Shtëpia Botuese “55”, si linjë të vetën editoriale ka pasur mbështetjen e vlerave perëndimore të shqiptarëve. Ajo është shndërruar në një tribunë të mendimit perëndimor, që vjen përmes botimit të përfaqësuesve më të spikatur, jo vetëm të botës katolike, por edhe asaj të krishterë, si dhe botës laike, kontributore në themelimin e BE-së. Kujtimet e At Zef Pllumi, dëshmitarit të krimeve të komunizmit janë pjesë e botimeve “55”  dhe mendimit katolik, të cilin ky ent botues e ka përcjellë përmes botimeve me shkrime të Nënë Terezës apo për Nënë Terezën, por edhe botimit dyvëllimësh “Lavdia e Klerit Katolik Shqiptar”, shkruar nga Pjetër Pepa. Shtëpia Botuese “55” ka sjellë në gjuhën shqipe nën përkthimin mjeshtëror të Ferdinand Lekës, dy vëllimet e para të librit “Jezusi i Nazaretit” shkruar nga Papa Benedikti XVI. Përmes këtyre dy botimeve lexuesi shqiptar pati mundësinë të shihte një dimension tjetër të Papa Benediktit, i cili shfaqet jo vetëm si bariu i miliarda besimtarëve, por edhe si një mendimtar dhe filozof i rëndësishëm i kohës që jetojmë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›