E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socializmi Bolivian mund të varroset bashkë me Çavezin

07-03-2013 / Nga Redi Agolli

Vdekja e presidentit kontrovers të Venezuelës mund të prodhojë pasoja të brendshme dhe gjeopolitike që mund të ndezin një Pranverë Latine

Presidenti karizmatik i Venezuelës, Hugo Çavez, ka vdekur të martën pas një beteje dyvjeçare me kancerin. Ai ka udhëhequr vendim më të pasur me naftë të Amerikës Latine për 14 vjet, duke e drejtuar atë kah horizontit të Revolucionit Bolivarian Socialist. Në rrafshin botëror, ai ka krijuar një front anti-amerikan bashkë me Kubën, disa vende fqinje dhe Iranin. Vdekja e liderit socialist është njoftuar nga nënpresidenti Nicolas Maduro, pasardhësi i tij i zgjedhur, është zotuar se do të ruajë trashëgiminë e Çavezit dhe ka apeluar për unitet-një referim ky ndaj tendencave anti-çaviste brenda vendit, të cilat janë bërë më pak okulte gjatë kohës kur gjendja shëndetësore e Çavezit u përkeqësua. “Do të na mungojë deri në ditën e fundit të jetës sonë. Populli ynë le ta dijë se trashëgimia demokratike, revolucionare dhe socialiste e komandantit tonë do të ruhet me vendosmëri dhe besnikëri absolute”, ka thënë Maduro.
Por, tashmë me vdekjen e Hugo Çavez, kambanat që po paralajmërojnë ndryshim të mundshëm në regjimit venezuelian po fillojnë të dëgjohen me një frekuencë shurdhuese, dhe vazhdimësia socialiste e Venezuelës nuk është aq e sigurt. Pasiguria buron jo vetëm nga zgjedhjet që priten të mbahen brenda 30 ditëve, por edhe nga konfliktet e brendshme. Dy fraksione antagoniste janë shfaqur brenda Çavizmit. I pari është udhëhequr nga Nicolas Maduro, i cili shërbeu për gjashtë vjet si ministër i Jashtëm i Venezuelës, me rrënjë të thella nga klasa punëtore si shofer autobusi dhe drejton një klikë të ideologëve besnikë në Havanë. Në tetor, Çavez, e zgjodhi atë si pasuesin e fronit venezuelian duke i dhënë kështu mbështetjen e besnikëve të tij, pikërisht për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen brenda 30 ditëve.
Por edhe me bekimin e presidentit sëmurë, Maduro duket se do të përballet me konkurrencë. Diosdado Cabello, një veteran ushtarak dhe një bashkëpunëtor i vjetër i Çavizmit, i cili ka rënë në sy të keq me çavistat e shquar, është president i Asamblesë Kombëtare dhe rivali më i madh i Maduro-s në luftën e mundshme për pushtet post-Çavez. Cabello dhe një grup oficerësh të lartë ushtarakë të implikuar nga autoritetet amerikane në trafikimet narkotike janë personalitete të cilët nuk do të rrezikojnë të humbasin pushtetin, e kësisoj mundësia e një grushti shteti prej ushtrisë është një nga skenarët e shumtë që mund të ndodhin së afërmi pas vdekjes së Çavezit. Grushti i shtetit nuk është eksperience e re dhe e paprovuar për Cabellon. Ai ka organizuar dhe drejtuar së bashku me Hugo Çavezin grushtin e shtetit të vitit 1992. Për më tepër, Cabello ka një armiqësi personale kundër vëllezërve Kastro, të cilët luajtën rolin kryesor për ta përzënë Cabello-n nga rrethi i brendshëm i brendshëm i Çavezit, tetë vjet më parë.  Tashmë, klika e brendshme është e përbërë kryesisht nga Rosa Virxhinia, vajza e madhe Çavez-it, burri i saj Jorge Arreaza, i cili është gjithashtu  ministër, Cilia Flores, gruaja e Maduro-s njëkohësisht prokurorja e Përgjithshëm e regjimit; dhe së fundi, Rafael Ramirez, kreu i gjigandit të naftës PDVSA.  Gjeneralët e kanë shtyrë Cabello-n të kthehet në postet drejtuese në fillim të vitit të kaluar për të mbrojtur interesat e tyre, duke shfrytëzuar si avantazh shëndetin e dobët të Çavez-it.
Kërcënimi që paraqet opozita dhe zgjedhjet për socializmin Çavist
Opozita në Venezuelë përfaqësohet nga një koalicion solid dhe unitar. Në zgjedhjet e fundit, Çavez fitoi me 11 pikë para kandidatit opozitar Capriles. Por, historia e këtyre zgjedhjeve nuk pritet të përsëritet. Maduro ka një personalitet të rëndomtë, kujtojmë këtu se ai ka punuar si shofer autobusi, nuk ka një edukim elitar dhe ka mungesë të tipareve karizmatike dhe oratorike të liderit të ndjerë. Me këtë disavantazh, që buron nga vetë personaliteti i kandidati presidencial Madoro, çavistët do të përpiqen të ndezin një makineri të fuqishme propagandiste, duke përdor post-mortum imazhin e Çavezit si patrullë elektorale ose në rast se do të jenë të mbërthyer nga një panik, do të përpiqen të manipulojnë zgjedhjet. E pikërisht, nëse realizohet ky skenari i dytë, opozita duhet të shfrytëzojë gjendjen e brishtë të krijuar nga mungesa e Çavezit për të zhvilluar protesta të mëdha të cilat mund të paralajmërojnë një Pranverë Latine. 
Sa rrezikon Kuba dhe aleatët e tjerë të frontit anti-SHBA
Sistemi komunist në Kubë realizon frymëmarrjen e tij nga 100.000 fuçitë e naftës që merr çdo ditë nga Venezuela dhe kubanët janë duke punuar me nxitim për të siguruar vijimësinë e Maduro-s. Por, nga ana tjetër, Kuba ka një dorë të lirë në aparatin e shërbimeve sekrete dhe programeve sociale të Venezuelës. Vetë Hugo Çavez pati pranuar vitin e kaluar se rreth 45.000 punonjës kubanë menaxhojnë programet e tij. Kjo lidhje e fortë i lejon Kubës që nëpërmjet Karakasit të përhapë dhe të konsolidojë influencën e saj në rajon. Ndikimi i Venezuelës në Amerikën Latine buron nga “Petrocaribe”, një program që i mundëson vendeve të Karaibeve dhe Amerikës Qendrore që të blejnë naftë me çmim të ulët, dhe ALBA- një aleancë ideologjike e cila promovon “socializmin e shekullit XXI”. Kombinimi i këtyre organizatave i jep Karakasit, e kështu edhe Kubës që fshihet prapa mantelit diplomatik të Venezuelës, që të influencojnë politikisht në 17 vende.  Por ata nuk janë të vetëm në mesin e fuqive të huaja me interes për të ruajtur çavizmit pas vdekjes së Çavezit. Kina ka derdhur rreth 25 $ miliard dollarë në hua që duhet të shlyhet në vitet e ardhshme. Rusia ka shitur 9 miliardë $ armë dhe kërkon të bëjë marrëveshje për naftë dhe gaz. Irani shfrytëzon territorin e Venezuelës si një platformë për shmangur sanksioneve ndërkombëtare dhe synon të instalojë sistemin e raketave Quds përballë brigjeve amerikane. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›