E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gratë nuk do ia falin Edi Ramës humbjet që u ka shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve”

09-03-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit ka uruar të gjitha gratë nënat dhe motrat shqiptare. “Kjo është një ditë e veçantë, se kremtojmë historinë e Gruas, kjo është një sallë plot hir e jetë, dhe më lejoni që edhe në emrin e secilës prej jush të uroj të gjitha gratë shqiptare kudo që janë: Por ne jemi bashkë sot, jo vetëm për urimin, por edhe për t’u përkulur me nderim para nënave, ikonave tona, për të nderuar gratë shqiptare, paraardhëset tona. Ne sot nderojmë gruan shqiptare në shekuj. Nderojmë mësuesen e parë, shkrimtaren e parë, biznesmenen e parë, këngëtaren e parë, artisten e parë, mjeken e parë, sportisten e parë. Ne nderojmë gruan që i mbijetoi diktaturës, nënën që ushqeu, rriti dhe edukoi e vetme fëmijën, kur bashkëshorti i saj dergjej burgjeve e internimeve. Ne përulemi para mijëra grave që punuan në skllavërinë e kooperativave, në punët e rënda të bujqësisë mesjetare primitive, gratë që për mbijetesë punonin me tre turne, gratë dhe vajzat që në kuzhinat dhe shtëpitë e tyre të varfra kishin të munguar çdo kusht elementar. Ato gra, që herë fustanin nuk duhet ta mbanin të gjatë dhe njëherësh as të shkurtër; ato që s’duhet të këndonin as këngën e dashurisë, as Beatles-at, as George Michael-in; vajzat e gratë që sistemi i ndalonte të kërcenin rock and roll..., ato që s’duhej as të dashuronin. Ne nderojmë gruan, që u ngrit në emër të lirisë, ne përulemi para nënave që edukuan brezin e studentëve te Dhjetorit. Nënat, që lindën burra të cilët u ngritën, dhe bënë të lirë  këtë vend. Që nga ajo kohë ne kemi bërë një rrugë të gjatë”, u shpreh Topalli.
Por kryeparlamentarja apeloi për më shumë gra në vendimmarrje dhe në këtë kontekst ajo kërkoi që gratë e vajzat t’i besojnë kësaj mazhorance një tjetër mandat në zgjedhjet e ardhshme. “Ne duam të ndihmojmë çdo grua që të dëgjohet zëri i saj, të mbështesim secilën vajzë në drejtimin që do marrë përgjatë rrugëtimit të saj.  Sigurisht unë do bëj çdo gjë, qoftë në këtë pozicion, dhe në  vitet që do vijnë, që t’ju mbështes ju, të mbështes gratë si ju që përpiqen ta ndryshojnë, ta përmirësojnë botën për të gjithë ne. Unë besoj thellësisht se: Historia e gruas është historia e vendit. Historia e nënës është historia e kombit. Unë e di se në zgjedhjet e ardhshme shumica e grave, bashkë me fëmijët e tyre do votojnë për Kryeministrin Sali Berisha. Nënat janë të parat që prekin ndryshimin. Nëna nuk lejon të kthehemi mbrapa. Gruaja shikon vetëm përpara. Nënat e jo vetëm ato, do votojnë për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri europiane. Ato e dinë më mire se kushdo se Kryeministri ynë e  mban fjalën, se ai nuk ndalet, se ai e do kombin, se ai ia del për të çuar përpara vendin tonë të dashur, atdheun tonë të shtrenjtë, Shqipërinë tonë të bukur”, theksoi kryetarja e Kuvendit.
Gjithashtu, Topalli akuzoi sërish kreun e opozitës për bllokimin e statusit kandidat, duke thënë se nënat shqiptare nuk do t’ia flasin në 23 qershor humbjet që i ka shkaktuar vendit
“Jam e sigurt se nënat nuk ia falin atij që e quan veten rilindës, ‘rilindësit Edvin’, që duke bllokuar votimin e tre ligjeve la vendin pa status, i hoqi Shqipërisë miliona euro, i hoqi fëmijëve studentë bursa të panumërta”, përfundoi ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›