Mania e internetit, 20% e të rinjve slexojnë kurrë libra
Studimi: Gjysma e të anketuarve shohin 1-3 orë në ditë televizor.
Rrjetet sociale, qëllimi kryesor i qëndrimit para kompjuterit.
Librat nuk janë më në modë, ndërsa media televizive apo e shkruar preferohen pak. Mania e internetit ka pushtuar të rinjtë shqiptarë. Jo vetëm ata, por edhe fëmijët. Për orë të tëra i gjen të mbërthyer përpara kompjuterit, nga ku informacioni, për hir të së vërtetës, filtrohet me vështirësi. Gjithçka është konfirmuar edhe nga sondazhi i fundit i kryer nga Instituti i Medias dhe i mbështetur nga UNICEF-i, ku janë anketuar 500 fëmijë të moshave 13 deri në 18 vjeç. Sipas të dhënave, gati 1/5 e të anketuarve thanë që nuk lexojnë libra ose lexojnë shumë rrallë. E njëjta përqindje e deklaroi se nuk lexonin kurrë, ose lexonin shumë rrallë gazeta ose revista. Më shumë se gjysma e të anketuarve deklaruan se nuk dëgjonin kurrë radio, ose e dëgjonin shumë rrallë. Ndër mediat tradicionale, televizioni është pa dyshim media më e preferuar nga kjo grupmoshë. Gjysma e të anketuarve deklaruan se shihnin 1-3 orë në ditë televizion, kurse 19% e tyre shihte më shumë se tre orë. Programet muzikore dhe ato zbavitëse u renditën si më të preferuarit, ndërsa emisionet informative si më pak të ndjekurat, tha Ilda Londo, nga Instituti i Medias. Ajo sqaroi se më shumë se 3/5 e të anketuarve thanë se e përdornin internetin disa herë në ditë, ndërkohë që 1/5 thanë se e përdorin një herë në ditë. Frekuentimi i rrjeteve sociale ishte qëllimi kryesor i përdorimit të internetit. Përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlef Palm, u ndal në programet televizive, të cilat nuk u përgjigjen kërkesave të këtyre fëmijëve. Ata preferojnë shumë informacione mbi sportin, kulturën, problemet sociale apo kronikën rozë, çka i ndeshin pak në televizione. Fëmijëve, mbase dhe neve, na duket mediat e mërzitshme në Shqipëri. Të njëjtat fjalime, të njëjtat shfaqje, ai tha, kjo tha, të njëjtat fjalime, pak fakte, dhe kjo nuk është ajo që ne duam të dëgjojmë. Ndaj dua të transmetoj disa mesazhe për drejtuesit e programacioneve: duhet një qasje më shumë transparente, më e besueshme dhe me më shumë etikë për fëmijët, tha përfaqësuesi i UNICEF-it. Fëmijët kanë nisur të qëndrojnë gjatë në internet, përsa kohë ata kanë akses. Të paktën 3/5 e të pyeturve thanë se e përdorin internetin disa herë në ditë. Përsa u përket burimeve të informacionit që përdorin, të anketuarit kanë preferuar më shumë shkollën dhe mësuesit. Më pak se 1/5 e të anketuarve konsiderojnë mediat tradicionale si burimet më të rëndësishme të informacionit. Ndërkohë, 2/5 e grupit të anketuar i kanë renditur si të fundit burim për nga rëndësia këto media. Gjysma e tyre thanë se e besonin disi median, ndërsa U! e tyre thanë se kishin pak besim te media. Gjithashtu, rreth W! e të anketuarve thanë se e ndiqnin më pak median në krahasim me tre vite më parë.
50 per qind e të anketuarve thanë se e besonin disi median, ndërsa 1/5 e tyre thanë se kishin pak besim te media. Gjithashtu, rreth 3/5 e të anketuarve thanë se e ndiqnin më pak median në krahasim me tri vite më parë.
Te dhenat e studimit
Të anketuar, 500 fëmijë të moshës
13-18 vjeç
20% e të anketuarve nuk lexojnë libra
20% e të anketuarve nuk lexojnë gazeta e revista
50% e të intervistuarve 1-3 orë në ditë TV
19% më shumë se tri orë TV
3/5 e të anketuarve përdorin internetin disa herë në ditë
20% thanë se e përdorin një herë në ditë
20% e të anketuarve konsiderojnë mediat tradicionale si burimet më të rëndësishme të informacionit
50% e besojnë disi median
20% e tyre pak besim te media
3/5 e të anketuarve ndjekin më pak median në krahasim me tre vite më parë
52% nuk njohin programet e TV publik
20% e tyre ndjekin rrallë emisionet e TV publik
37% e të pyeturve thanë se media është e rëndësishme
68% thanë se interneti është i rëndësishëm
Anketimi, programet televizive për të rinjtë, jo interesante
Të anketuarit në përgjithësi mendonin se programet televizive nuk u përgjigjeshin kërkesave të grupmoshës së tyre. Të pyetur për mendimin që kishin për programet e televizionit publik për këtë grupmoshë, më shumë se gjysma thanë se nuk i njihnin këto programe, ndërkohë që gati U! e tyre thanë se i ndiqnin rrallë. Sugjerimet e bëra nga fëmijët në këtë rast ishin se duhej tu lihej më shumë hapësirë fëmijëve në televizion dhe se programet duhet të pasqyrojnë jetën e përditshme dhe tu afrohen më shumë problemeve të moshës. Ndërkohë, interneti është padyshim media dhe burimi i informacionit më i preferuar nga kjo grupmoshë. Të pyetur sa e rëndësishme është media në jetën e tyre, 37% e të pyeturve thanë se ishte shumë, ndërkohë që kjo përqindje për internetin ishte 68%.
Mbi 90% e fëmijëve 10 vjeç me profil në Facebook
Mbi 90% e fëmijëve të moshave nga 10-16 vjeç janë të regjistruar në një nga rrjetet sociale (Facebook, My space apo Hi5). Të dhënat janë publikuar pak kohë më parë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas studimit, rreth 46% e fëmijëve kanë pranuar se shikojnë çdo ditë profilin e tyre në rrjetet sociale dhe po kaq i shtojnë materiale të reja. Nuk mungojnë as miqësitë e reja me persona të panjohur. Plot 42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit thonë se nevojiten masa urgjente për reduktimin e këtij fenomeni, por edhe për ngritjen e strukturave që do të merren me kontrollin se si do të zbatohen këto masa. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nxjerrë një paketë këshillash për të ndihmuar ata që dëshirojnë të hyjnë të sigurt në një rrjet social në Internet. Një këshillë e përgjithshme që u jepet prindërve është të bëjnë kujdes dhe të kontrollojnë në mënyrë sistematike lundrimin e fëmijëve në faqet e rrjeteve sociale, thuhet në paketën e këshillave të Komisionerit.
Sensibilizimi
Ministria e arsimit ka nisur një sërë aktivitetesh sensibilizuese në shkollat 9-vjeçare. Ato kanë për synim ndërgjegjësimin e kësaj grupmoshe në lidhje me rreziqet e shkeljes së privatësisë. Meqenëse një pjesë e mirë e nxënësve të këtyre moshave janë përdorues të rregullt të rrjeteve sociale, për pasojë edhe mundësia e përhapjes pa kriter të të dhënave personale është e lartë.
ZIRINA LLAMBRO