E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët e kërcënojnë me vdekje, aktori shqiptar: Protestat i nxiti Kisha

Shqiptarë, do t’ju vrasim, do t’ju djegim të gjallë!”. Simpatizantët e “Agimit të Artë” në Greqi kanë kërcënuar me vdekje regjisorin dhe aktorin shqiptar, Laert Vasili. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, kur ai ka qëndruar plotë 12 orë i ngujuar në teatrin grek të Athinës që gjendet në “Rrugën e shenjtë”, ndërsa grupe ultranacionalistësh grekë bënin thirrje antishqiptare dhe premtonin se do t’i merrnin jetën. Shkak për këtë është bërë tematika e shfaqjes, që pretendohet të ketë përmbajtje fyese për besimtarët ortodoksë dhe Krishtin. Vetë Laert Vasili, ka thënë dje për “Gazeta Shqiptare” se gjithë kjo është nxitur nga Kisha Greke në Athinë, e cila iu është drejtuar besimtarëve me fjalët: Kush e ndjek shfaqjen, i përket Satanait. “Ka ikur koha e inkuizicionit, kur Kisha i dënonte njerëzit si Galileo Galilein dhe Xhordano Brunon. Jam i lumtur që vendimet e saj nuk zbatohen më”. Kështu u shpreh Vasili, pasi i shpëtoi ‘atentatit ekstremist’ grek ndaj tij. Në një intervistë telefonike dhënë “Gazetës Shqiptare”, ai rrëfen frikën për jetën në shtetin fqinj, se si Kisha Greke nxit urrejtjen, mungesën e interesimit nga shteti shqiptar dhe premtimin se asgjë nuk do ta ndalë.

Zoti Vasili, a mund të na rrëfeni se si ka ndodhur ngjarja?
Ka qenë pasditja e të enjtes, data 4 tetor, kur grupe ekstremistësh ultranacionalistë grekë kanë bllokuar hyrjen e teatrit në “Rrugën e Shenjtë”. Me banderola nëpër duar, simpatizantët e “Agimit të Artë” në Greqi, kanë bërë thirrje për ta ndaluar shfaqjen, që sipas tyre ofendon Krishtin, ndërsa më kanë kërcënuar me vrasje. Ata janë shfaqur para teatrit rreth orës 17:00 të pasdites, ndërsa aty kanë ardhur edhe forca të shumta policore, që kanë ndaluar hyrjen e tyre në ambientet e teatrit. Ne atë natë kishim premierën e shfaqjes teatrale “Corpus Kristi”, e cila është shfaqja ime e tretë si regjisor në shtetin grek. Me dy shfaqjet e para unë kam dërguar në Greqi dy çmime të para ndërkombëtare.
Sa kohë keni qëndruar në teatër dhe sa veta ishit?
Kemi qëndruar të mbyllur nga ora 17:00 e së enjtes deri në orën 05:00 të së premtes. Protestuesit ikën nga ora 03:00 e mëngjesit, ndërsa ne me policinë qëndruam edhe dy orë të tjera.
Kush ishin protestuesit?
Ata njihen si simpatizantë të partisë “Agimi i Artë” në Greqi. Por, mes tyre kishte besimtarë fanatikë, që erdhën të nxitur nga Kisha Greke.
Pse thoni se janë nxitur nga Kisha Greke?
Sepse këshilli i lartë i Kishës Ortodokse Greke iu ka bërë thirrje besimtarëve, që kush e ndjek këtë shfaqje nuk është më njeri i Kishës dhe i Zotit, por i Satanait. Veç kësaj, kryepeshkopi i Pireut i ka dërguar një letër kryeministrit grek, ku i kërkon të ndalojë shfaqjen e pjesës teatrale. Teatri ndodhet në atë që quhet “Rruga e shenjtë”, sepse është rruga që të zbret nga Akropoli drejt pjesës tjetër të qytetit. Është pikërisht zona ku organizoheshin ceremonitë teatrale të Greqisë së Lashtë, vendi ku lindi teatri.
Si i konsideroni protestuesit? Ata janë kundër jush si shqiptar apo kundër shfaqjes?
Unë nuk mund të them me përqindje se sa ishin kundër meje për shkak të origjinës shqiptare e sa kundër shfaqjes, por di të them se në banderolat e tyre shkruhej: “Shqiptarë, do t’ju djegim të gjallë, do t’ju bëjmë varrin, do t’ju vrasim”. Unë nuk di si t’i konsideroj ata, një tufë të çmendurish fanatikë, që zbatuan ultimatumin që iu kishte dhënë Kisha.
Vetëm dy ditë më parë, jeta juaj ishte në rrezik. Si ndiheni tani?
Jam mirë, megjithëse gjithë ajo që ndodhi ka qenë një dhunë e tepërt shpirtërore për mua, kundra teatrit dhe shfaqjes. Nuk është normale që kjo të ndodhë tani, kur ne jemi në vitin 2012. Kanë ikur kohët e inkuizicionit, kur Kisha i dënonte njerëzit si Galileo Galilein dhe Xhordano Brunon. Jam i lumtur që vendimet e saj nuk zbatohen më.
Si do ia bëni me shfaqjen?
Premiera atë natë u ndalua, por ne kemi vendosur ta shfaqim në datën 11 tetor. Besoj se deri atë ditë do jenë qetësuar të gjithë. Unë do vijoj të ushtroj të drejtën time të lirisë së fjalës. Nëse shfaqja do të ndalohet sërish, do ta vë në skenë në një vend të fshehtë dhe do të lajmëroj vetëm disa njerëz që ta shohin.
Si janë sjellë kolegët grekë me ju?
Kam gjetur mbështetje e solidaritet nga kolegë e artistë grekë, por edhe nga shumë media. Mund të them se ka 90% të njerëzve që më duan dhe një fraksion prej 10% që nuk më do, e këta janë pjesë e fraksioneve ultranacionaliste.
A ju ka kontaktuar ambasada shqiptare për t’u interesuar për ju pas ngjarjes?
Jo, nuk është interesuar fare. Mbase sepse unë kam përfaqësuar shtetin grek në disa aktivitete, por unë gjithnjë e kam deklaruar identitetin tim shqiptar. Kam pasur përplasje edhe herë të tjera, por shteti shqiptar nuk është interesuar asnjëherë për mua.
Po shteti grek?
Policia na ka thënë se do jetë gjithnjë pranë nesh për të na ndihmuar. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Greqi, ekstremistët kërcënojnë artistin shqiptar, Laert Vasili

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›