E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet pas 8 vitesh telefoni i emigrantes së zhdukur

POGRADEC- Kanë tetë vjet që je tojnë ferrin. Presin një telefonatë nga vajza e tyre e zhdukur në mënyrë misterioze në Itali. U dhemb shpirti nga heshtja e gjatë. Në çdo orë të ditës përgjatë këtyre viteve, bashkëshortët Krasaliu nga fshati Buzaishtë i rrethit të Pogradecit i kanë rënë numrit të celularit të Ëngjëllushes. Por nga përtejdeti nuk pipëtinte asgjë; as jetë dhe as vdekje. Por, pak ditë më parë zemrat e prindërve të 37vjeçares janë trazuar keqazi nga ankthi. Më në fund numri i bijës së tyre, 00393337057731, nuk dilte i mbyllur. Zilja bie, por në anën tjetër të telefonit nuk përgjigjet njeri. Babai i emigrantes, fati i së cilës nuk dihet që nga maji i vitit 2004, kërkon që shteti shqiptar të zbardhë misterin që po i varros të gjallë. "Vetëm një nënë dhe një baba e di çfarë do të thotë të mos dish për 8 vite radhazi nëse fëmija yt jeton apo jo. Po na shkulet zemra nga e keqja. Gjatë gjithë kësaj kohe telefoni i vajzës dilte mbyllur. Tani që ai është hapur, policia dhe struktura të tjera të shtetit duhet të më sjellin një lajm për vajzën time, i mirë apo i keq qoftë. Nuk mund të jetojmë me këtë barrë mbi shpirt", -pohoi dje për "Gazeta Shqiptare", Myftar Krasaliu.
DRAMA
Ëngjëllushe Krasaliu ka qenë e martuar tre vjet në fshatin Stranik të Librazhdit. Në shtator të vitit 1997, ajo është marrë forcërisht nga dy persona dhe është trafikuar në Itali. Për afro tre muaj ajo detyrohet të prostituojë në Milano. Krasaliu u shpëton tutorëve dhe kërkon ndihmën e një prifti italian, i cili e merr në mbrojtje dhe pas disa muajsh e njeh me një djalë nga Breshia me emrin Viktor. Një vit më pas ajo martohet me Viktorin. Ëngjëllushja (e thërrisnin Angjela në Itali) lidhet me telefon me familjen e saj në Mokër dhe iu thotë prindërve se tashmë është e lumtur me burrin e saj italian. Ndërsa nuk ua tregon emrat e trafikantëve që e morën forcërisht me gomone dhe e dërguan në vendin fqinj, nga frika se mos u ndodhte gjë vëllezërve. Familja fillon të komunikojë normalisht me vajzën e tyre, madje në telefon dilte edhe dhëndri italian. Më 2 korrik të vitit 2003, Ëngjëllushja, e pajisur me dokumente të rregullta italiane, vjen pranë familjes dhe qëndron dy javë. Ajo u sjell prindërve edhe kasetën e dasmës së saj me Viktorin dhe disa dhurata. Telefonata e saj e fundit daton 8 marsin e vitit 2004, ku ajo i uron të ëmës 8 Marsin. Më pas vetëm heshtje. Më 2 maj të 2004-ës, emigrantja humbur kontaktet edhe me të motrën e saj në Greqi. Që prej asaj kohe familja Krasaliu nuk di asgjë për fatin e Engjëllushes. Nëna dhe babai i saj thonë se kanë bërë denoncim në polici, por policia nuk ka bërë asgjë në gjithë këto vite.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›