Grekët ende pa marrëveshje, priten sërish bisedime

Kryeministri grek, Lukas Papademos do të takohet sërish sot me partnerët e koalicionit për të diskutuar në lidhje me paketën e reformave. Takimi i djeshëm ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje lidhur me masat e kursimit ku çështja e vetme për të cilën udhëheqësit grekë nuk kanë arritur marrëveshje janë shkurtimet në pensione.
Masat parashikonin ulje me 15 % të pensioneve bazë, por ngërçi ishte tek pensionet suplementare, për të cilat nuk u pranua ulja. Sipas Papadhimos do të duhen të tjera bisedime për pensionet suplementare.
Bisedimet e autoriteteve greke synojnë sigurimin e paketës së re të ndihmave ndërkombëtare, në vlerë prej 130 miliardë eurosh, por që varet nga shkurtimet e pagave dhe të përfitimeve që duhet të bëjë Athina.
Propozimet e trojkës europiane pritet të miratohen këtë fundjavë në parlamentin Helen. Por megjithatë shumë deputetë kanë deklaruar se nuk mund t`i votojnë këto masa ekstreme. Masat e kërkuara nga trojka europiane janë në këmbim të ndihmës prej 130 miliardë eurosh.