Grekët kërkojnë 4 varreza për ushtarët

Pas takimit mes dy shefave të diplomacive, përkatësisht Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis, në marsin e kaluar, dje ka nisur puna për të përcaktuar konkretisht detajet e ndërtimit të varrezave dhe memorialëve kushtuar ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke.
Negociatat janë zhvilluar në më shumë se 5 orë, në ambientet e Ministrisë së Jashtme dhe kanë qenë krejtësisht të mbyllura për mediat. As Tirana zyrtare dhe as Athina nuk kishin lajmëruar për mbledhjen e djeshme, duke mbajtur gjithçka “top-sekret”.
Zyrtarisht, të dyja palët refuzuan të jepnin deklarata, duke u mjaftuar me një “No Coment”. Por nga burime diplomatike, mësohet se ekspertët e Ministrisë së Jashtme greke, kishin ardhur të përgatitur, duke nisur menjëherë një ofensivë diplomatike.
Athina zyrtare i ka kërkuar Shqipërisë që të lejojë ndërtimin e gjithsej katër varrezave dhe memorialëve për ushtarët grekë në Shqipëri. Në mënyrë të prerë, në bisedimet e djeshme diplomatët grekë, kanë ngritur pretendimin për varrezat, duke u bazuar në zonat e luftimit me italianët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat sipas Greqisë janë në Gjirokastër, Përmet dhe Korçë.
Nga delegacioni shqiptar, është rezistuar mjaft, por jo duke kundërshtuar prerazi ndërtimin e varrezave. Ekspertët shqiptarë të Ministrisë së Jashtme, kanë marrë kohë për të diskutuar, dhe për t’u konsultuar me tej me rrethanat konkrete dhe vendet ku kërkohet vendosja e varrezave.
Delegacioni i Tiranës zyrtare, as nuk ka kundërshtuar, por as nuk ka pranuar ndërtimin e dy varrezave. Duke përdorur taktikën e “marrjes së kohës”, negociatat janë shtyrë për më vonë.
Ndërkaq, nga burime në MPJ, mësohet se direktiva e qeverisë është që pala shqiptare nuk do të pranojë ndërtimin e katër varrezave për ushtarët grekë.
Megjithatë, çështja bëhet delikate, pasi pritet që Athina zyrtare do të duhet të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Nga diplomatët grekë është bërë e ditur se gatishmëria e Athinës për të shpejtuar hapat e integrimit të Shqipërisë drejt BE është maksimale, por edhe Tirana duhet të mbajë premtimin e vet publik.
Çështja pritet të diskutohet edhe në të ardhmen, por duket se gjithçka është një betejë diplomatike, ku Greqia kërkon maksimumin për të marrë optimumin dhe Tirana reziston për kërkesat maksimale, në mënyrë që të mos rritet “pazari” apo “oreksi” grek.