E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Trebickës, mbërrin lajmi nga SHBA

Eksperti amerikan i policisë së Virxhinias, që mori pjesë në hetimin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, ka sjellë me postë ekspertizën auto-teknike të automjetit, që humbi jetën dëshmitari i trafikut të fishekëve nga Gërdeci drejt Afganistanit.

Provat dhe të dhënat, që bëjnë fjalë për ngjarjen, janë dërguar në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, Ina
Rama.

Mësohet se në bazë të analizave të specializuara, që janë kryer në SHBA, eksperti amerikan ka hartuar raportin e tij përfundimtar për ngjarjen e ndodhur në Lekas të Korçës, mesditën e 12 shtatorit 2008.

Eksperti amerikan i policisë së Virxhinias, Kevin Teter, u largua nga Shqipëria pas një qëndrimi 5-ditor, gjatë të cilit zhvilloi hetime dhe matje në vendin ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka, analizoi skenën e ngjarjes dhe makinën e biznesmenit, e cila mbahet e bllokuar në policinë e Korçës.

Më pas, ai bëri disa analiza me grupin hetimor të kësaj çështjeje në Prokurorinë lokale, si dhe dy raportime bashkë
me ekspertët shqiptarë, para Kryeprokurores së vendit, Ina Rama.

Pas pesë ditë qëndrimi në Shqipëri, Teter mbylli fazën e mbledhjes së të dhënave dhe vendosi të largohet për të punuar me
raportin në studion e tij, në SHBA.

Ai mori me vete një dosje të plotë me të dhënat për ngjarjen, ku humbi jetën Kosta Trebicka. Sipas Prokurorisë, në dosjen e dërguar në SHBA përfshihen analiza mbi fotografitë dhe pamjet filmike të vendit të ngjarjes, pozicionin e makinës dhe kufomës, gjurmët e gomave të mbetura në diametrin ku lëvizi automjeti, si dhe të dhëna mbi këndin dhe shpejtësinë e lëvizjes së makinës.

Ndërkohë, Teter analizoi edhe tabela fotografike të dëmtimeve, që u konstatuan në trupin e Kosta Trebickës, procesverbale të deklarimeve që kanë dhënë dëshmitarët në vendin e ngjarjes, planimetrinë e relievit të sipërfaqes në zonën ku ndodhi ngjarja dhe rezultatet e disa ekspertizave të zhvilluara në Shqipëri.

Mbi bazën e të gjitha këtyre fakteve, mësohet se eksperti amerikan ka hartuar në SHBA raportin e tij për rindërtimin e asaj që ka ndodhur faktikisht me biznesmenin Kosta Trebicka.

Raporti, sapo përfundoi në SHBA, iu dërgua Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama,  nje dhe pritet që sot ajo ta analizojë atë me pjesëtarët e tjerë të grupit hetimor që është ngritur enkas për këtë çështje.

Më pas, ai do t’i lihet në dispozicion grupit hetimor në Prokurorinë e Korçës. Krahas ekspertizës së ardhur nga SHBA-ja,
hetuesit e çështjes presin edhe raportet e ekspertëve shqiptarë, të cilët po vazhdojnë punën për hartimin e raportit mbi dinamikën e ngjarjes së ndodhur me Kosta Trebickën, gjatë së cilës ai gjeti vdekjen për shkaqe ende misterioze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›