E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Tadiç, Merkel: Nuk ka ndarje të Kosovës

Nga DW, BBC

Pas takimit me presidentin serb, Boris Tadiç, kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur kundër propozimit për ndarjen etnike të Kosovës, njofton agjencia gjermane DPA. Mediat kanë raportuar se ditë më parë, presidenti serb, Tadiç, është shprehur pro ndarjes së Kosovës, mirëpo në Berlin, dje, ai ka deklaruar se deklarata e tij është “keqkuptuar”. Interpretimi i asaj çfarë ka thënë ai ka qenë “politikisht jokorrekte”, - ka thënë Tadiç në Berlin – duke shtuar se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe po përpiqet që çështjen e Kosovës të kalojë prej këndit politik në atë ligjor – duke e dërguar atë në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë.

“Unë e mendoj këtë, kur të gjitha mundësitë e tjera kanë mbaruar dhe, nëse unë do ta mbështes ndarjen e Kosovës, është një gjë tërësisht hipotetike”, - u shpreh Tadiç.

Davis, kundër pavarësisë së Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe të dalë në mbrojtje të Serbisë.

Davis ka deklaruar se ndaj tij janë ushtruar presione për të bashkëpunuar me “regjimin e Kosovës”, por ka theksuar se nuk është dorëzuar para presioneve dhe se mbështet integritetin territorial të Serbisë. Madje, zyrtari evropian ka krahasuar Kosovën me situatën ne Gjeorgji, ku Abkhazia dhe Osetia Jugore kanë vetëshpallur pavarësinë.

“Ka diçka që nuk përputhet në vlerësimin e disa vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe tani grinden me Rusinë për faktin se ka pranuar pavarësinë e Osetisë e Abkhazisë”, - ka pohuar Davis.

Analistët: Ndarja e Kosovës ndikon në Luginën e Preshevës

Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb, Boris Tadiç, se ndarja e Kosovës ka qenë dhe mbetet një nga opsionet për të ardhmen e Kosovës, analistët në Prishtinë vlerësojnë se, në fakt, Beogradi që nga fillimi i procesit negociator e deri në mbyllje është angazhuar për ndarje. Sipas analistëve, ndarja e Kosovës nuk mund të kalojë pa implikime edhe në Luginën e Preshevës.

Deklaratat e presidentit serb, Boris Tadiç, për ndarjen e Kosovës, sipas analistëve në Prishtinë, nuk paraqesin ndonjë opsion të ri, por paraqesin politikën e vërtetë të Beogradit ndaj Kosovës.

Qëllimet serbe për ndarjen e Kosovës, sipas analistëve, janë vërejtur edhe gjatë procesit negociator për statusin, megjithëse këto ide nuk kishin gjetur përkrahjen ndërkombëtare.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se Beogradi, i vetëdijshëm se do të përballet me pasoja nga Bashkimi Evropian, nëse iniciativa e Serbisë për interpretimin legal të pavarësisë së Kosovës kalon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani përpiqet që të hedhë këtë ide si ofertë për një zgjidhje të re.

Por, shton Maliqi, ndarja e Kosovës nuk është opsion që preferohet as nga serbët lokalë dhe as nga bashkësia ndërkombëtare.

“E përjetoj si paralajmërim, sepse Serbia në të vërtetë tash edhe i kërkon opsionet e fundit, sepse nuk i ka mbetur asgjë tjetër. Si solucion për të dalë disi, kushtimisht thënë, me faqe të bardhë për Serbinë, është që të kërkojë ndarjen e Kosovës, edhe pse nuk është e qartë se në çfarë proporcionesh dhe çfarë kërkojnë. Me gjasë llogarisin vetëm në veriun e Kosovës”, - thotë Maliqi.

Ndërkohë, analisti Lulëzim Peci thotë se qëllimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës janë të vjetra. Sipas tij, Beogradi në vazhdimësi është angazhuar që kriteri etnik të jetë bazë e ndërtimit të shteteve në rajon.

“Kjo është edhe një deklaratë demaskuese për intencat e politikës serbe ndaj Kosovës. Serbia nuk ka qenë kurrë e interesuar që të bëjë një integrim të mirëfilltë të shqiptarëve brenda një kornize shtetërore atje, mirëpo është e interesuar në ndërtimin e shteteve në bazë të principeve të shekullit XIX dhe ato principe janë pastërtia etnike në ndërtimin e një shteti”, - thotë Peci.

Analisti Lulëzim Peci thotë në vazhdim se një përgjegjësi për politikën e tillë të Serbisë e mban edhe Bashkimi Evropian, i cili ende nuk i ka dhënë mesazhet e qarta Beogradit se, nëse dëshiron integrimin në BE, nuk mund të llogarisë në politika që nuk përkojnë me kohën.

Sidoqoftë, Lulëzim Peci thotë se Prishtina duhet t’i marrë seriozisht deklaratat e Beogradit dhe si kundërpërgjigje t’i shtojë angazhimet për integrimin e pjesës veriore në kuadër të sistemit legal në Kosovë.

Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se propozimi i Tadiçit, edhe pse i paqartë, mëton ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Por, sipas tij, një opsion i tillë do të kishte implikime edhe për Luginën e Preshevës dhe vise tjera në rajon.

Maliqi nuk beson se në këtë fazë dikush në Serbi apo në Kosovë mund ta hapë për diskutim çështjen e shkëmbimit të territoreve.

Në lidhje me deklaratat e Tadiçit, sot është prononcuar edhe administrata e UNMIK. Zëdhënësi i kësaj administrate, Alexander Ivanko, thotë se statusi i Kosovës tashmë është i zgjidhur, kurse ndarja nuk është opsion. Presidenti serb, Boris Tadiç, është cituar këto ditë në media se “ndarja e Kosovës po diskutohet në Serbi dhe bashkësinë ndërkombëtare, dhe ajo ka qenë një nga opsionet gjatë gjithë këtyre viteve”.

Sidoqoftë, ai ka thënë se nuk ka propozuar këtë ide, edhe pse ndarja, sipas tij, kishte qenë pjesë e bisedimeve në lidhje me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›