E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh Kryesinë: Gati për zgjedhje

Partia më e madhe e opozitës pritet të mbledhë sot Kryesinë për të diskutuar një sërë çështjesh të karakterit organizativ.

Burimet nga selia rozë sqaruan se socialistët do të japin miratimin e tyre për fillimin e fazës tjetër të turit të kryetarit Edi Rama. Veprim ky që në bazë do të ketë prezantimin e programit politik dhe qeverisës të Partisë Socialiste në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit.

Një tjetër detaj ka të bëjë me listën e anëtarëve të Kryesisë, që janë shpërndarë në qarqe për të monitoruar etapën paraelektorale.

Kupola drejtuese e Partisë Socialiste do të vendosë edhe për shndërrimin e të gjitha organizatave socialiste në shtabe të veçanta elektorale. Teksa thelbi i gjitha lëvizjeve dhe vendimeve ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009.

Programi

Mësohet se ajo çka është përgatitur deri më sot shkon në mbi 500 faqe kompjuterike dhe cilësohet si produkt i veçantë në llojin e tij.

Hartuesit konstatojnë se asnjë parti politike në Shqipëri deri më sot nuk ka pasur një projekt të tillë qeverisës të detajuar. Shtyllat kryesore të tij janë edhe orientimet e politikave të socialistëve në një rikthim të tyrin në qeverisje.

Pas fazës së “Dialogut me Shqipërinë”, projekti politik do t’u drejtohet sërish qytetarëve. Këtë herë mësohet se një aksion do të ndërmerret, por, ndryshe nga hera e parë, do ketë në qendër veprime konkrete dhe ide, të cilat PS do t’i vërë në jetë.

Thënë ndryshe, socialistët do të rrëfejnë para qytetarëve idetë e tyre për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet Shqipëria.

Nga ky tur takimesh, që mund të kurorëzohet edhe me tryeza kombëtare për secilën nga shtyllat e projektit, tentohet të merret edhe “informacioni” i fundit.

Në hartimin e këtij projekti, socialistët kanë marrë këshillat e ndërkombëtarëve. Katër vizita në kryeqytete të Evropës rezulton të ketë kryer ekipi i programit nën drejtimin e Edi Ramës.

Në muajt e parë të këtij viti, ata zhvilluan takime në Berlin të Gjermanisë, Bruksel, Athinë dhe Romë. Në ndalesën e fundit, ai prezantoi faktet dhe idetë e mbledhura gjatë “Dialogut me Shqipërinë” përpara dy ish-kryeministrave italianë, Xhuliano Amato e Masimo D’Alema, dhe një grupi të gjerë ekspertësh të angazhuar prej tyre.

Organizimi

Mbledhja e Kryesisë së socialisteve pritet të kalojë për miratim edhe një sërë dokumentesh, që kanë të bëjnë me prag fushatën zgjedhore.

Një material përfshin grafikun e anëtarëve të Kryesisë, të ngarkuar me drejtimin e organizmit elektoral në qark e rreth. Përgjegjës për Qarkun e Tiranës është deputeti Shpëtim Idrizi, që mbulon Tiranën qytet, rreth dhe Kavajën.

Në Qarkun e Beratit (rrethet Berat, Kuçovë, Skrapar) do të ngarkohet deputeti Erjon Braçe. Kryesia do të caktojë të ngarkuar të saj në Qarkun e Durrësit (rrethi Durrës, Krujë) deputetin Namik Dokle.

Anëtari i Kryesisë, Pandeli Majko, është përgjegjës për Qarkun e Dibrës (rrethi Dibër, Mat dhe Bulqizë).

Sa i takon Qarkut të Elbasanit dhe konkretisht në rreth Elbasan, Librazhd, Peqin dhe Gramsh është menduar deputetja Valentina Leskaj. Sakaq, Ermelinda Meksi do të merret me prag fushatën elektorale në Qarkun e Fierit (rrethi Fier, Lushnje, Mallakastër).

Gramoz Ruçi do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në Qarkun e Gjirokastrës (rrethet Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet). Ben Blushi do të ketë nën monitorim zhvillimet prag-elektorale në Qarkun e Korçës (rrethet Korçë, Devoll, Pogradec dhe Ersekë).

Zëdhënësja e Kryesisë së socialistëve, Mimi Kodheli, do të merret me Qarkun e Kukësit (rrethet Kukës, Tropojë, Has).

 Kujdestarja për Qarkun e Lezhës do të jetë anëtarja e Kryesisë, Lindita Nikolla (rrethet Lezhë, Mirditë dhe Kurbin). Arben Isaraj do të administrojë procesin në Qarkun e Vlorës dhe Mimoza Hafizi atë të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›