Pensionistët: Protesta pas 16 tetorit

Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Moshës së Tretë, pensionistët shqiptarë kanë bërë bilancin e problematikave kryesore në jetën e tyre, si dhe kanë paraqitur publikisht edhe një herë kërkesat e tyre për qeverinë.
Nëse do të ketë një përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre do të jetë një fillim i mbarë, nëse jo pensionistët kanë vendosur që pas datës 16 tetor të dalin në protesta para Kryeministrisë për të kërkuar me zë më të lartë plotësimin e kërkesave të tyre.
Protesta është lënë pas datës 16 tetor, për të respektuar ditën e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Pas kësaj date, pensionistët do të mendojnë për organizimin e protestës, duke kërkuar në mënyrë demokratike plotësimin e nevojave për një jetë më të mirë.
Vetmia është sëmundja nga e cila vuajnë më shumë të moshuarit, në mënyrë të veçantë ata që kanë humbur bashkëshortit apo ata që kanë fëmijët larg.
Por kur vjen puna te shëndetësia, shtrenjtësia dhe pagesat e faturave pensionistët, kush më pak e kush më shumë numërojnë shpenzimet me ato pak para të pensionit mujor.
Kërkesat
“Kërkojmë rritje të pensionit me 20 për qind për pensionistët në qytet dhe 25 për qind për ata në fshat. Kërkojmë që shteti të na paguajë ilaçet, trajtimet shëndetësore dhe vizitat apo analizat e përmuajshme”, u shpreh kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorrica, në Ditën Ndërkombëtare të Moshës së Tretë.
Sipas tij, është më se e nevojshme që pensionistët shqiptarë të kenë kushte më të mira, të marrin pension aq sa kanë derdhur kontribute gjatë viteve të punës dhe të rimbursohen për transportin urban dhe interurban.
“Kërkojmë që të kemi rimbursim nga shteti për ilaçe të cilësisë së mirë, për vizita dhe ekzaminime, për transportin urban dhe, në të njëjtën kohë, kërkojmë që për vitin e ri të na njihet pensioni i 13”, sqaroi Gorrica.
Sipas tij, këto janë të nevojshme për pensionistët dhe i lehtësojnë atyre jetesën. Po ashtu duhet thënë se, veç këtyre kërkesave, të tjera janë parashtruar nga pensionistët në një projektligj të përgatitur prej tyre me ndihmën e Konfederatës së Sindikatave i mbiquajtur “projektligji i moshës së tretë”.
Në këtë projekt, pensionistët kërkojnë respektimin e diferencave të pensioneve, gjysmë pagese për transportin interurban, pension të 13 dhe shëndetësi falas.
Protesta
“Kemi menduar që të organizojmë protesta pas datës 16 tetor. Do të kërkojmë me zë të lartë rritje të pensioneve sipas llogaritjeve tona, duke pasur parasysh rritjet e çmimeve dhe rritjen e shpenzimeve si pasojë e amortizimit të pajisjeve në qendrat shëndetësore shtetërore”, shpjegon kreu i pensionistëve.
Sipas tij, kjo rritje është e detyrueshme, ndërsa shteti e ka për detyrë të mbrojë shtresat në nevojë dhe të krijojë lehtësira për kategorinë e pensionistëve që përfshin dhe një numër të madh të popullatës.